Vrasja e Ardit Gjoklajt në Sharrë është vrasje shtetërore

Ish kryeministri Berisha denoncoi ashpër dje censurimin nga Rama-Veliaj të investigimeve gazetareske mbi lidhjen direkte të Veliajt në vrasjen e 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj në Landfillin e Sharrës ndërsa e cilësoi vrasjen e Gjoklajt si vrasje shtetërore. “Çështja me të cilën doja të hapja fjalën është akti i shëmtuar, i paprecedent në këto 24 vite; kasaphana e fjalës së lirë. Për herë të parë në 24 vite, një emision investigativ, për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, për një çështje që faktohet katërcipërisht vrasja e mirëfilltë shtetërore, nuk them me dashje, por vrasjet shtetërore janë me dashje dhe pa dashje. Dua ta them këtu, se Ardit Gjoklaj është vrasje shtetërore. Dhe njëlloj, sikur të ishte çdonjëri, jo një i ri, jo një 17-vjeçar që përballej me dinjitetin më të madh me aspektet më të vështira të jetës në këtë vend. Pasi dështuan ta mbulojnë dhe ta varrosin në plehra, atëherë bëjnë gjithçka, përpiqen ta vrasin për së dyti, të bllokojnë emisionin e tij. Dhe kjo është vepër e Edvin Kristaq Ramës. Këtë akt nuk mund ta bëj kush tjetër në Shqipëri përveç atij që ka fuqinë e ekzekutivit. Ky akt i shëmtuar është një damkë e zezë, është një dëshmi e qartë se si paratë e krimit po sundojnë çdo ditë dhe liritë dhe të drejtat më themelore të shqiptarëve; anulimin, censurimin, bllokimin e një hetimi gazetaresk për vdekjen e një të riu 17-vjeçar, ky është një krim i madh. Është krim ndaj fjalës së lirë. E para e lirisë është fjala, në librat e shenjtë dhe në të gjitha librat e tjera. Por nuk ka liri pa qenë shpirtkazmë që të mos i dridhet zemra, të mos i dridhet shpirti para një viktime, që zgjodhi këtë verë të punonte turni i tretë, për të gjetur më pas vdekjen vetëm e vetëm që të mund të vishej ditën e parë të shkollës, vetëm e vetëm që të mund të blinte librat e shkollës sepse nuk kishte mundësi të tjera” tha Berisha. Ish Kryeministri tha se në psikologjinë atërore, Edi Rama çdo ngjarje, çdo krim, çdo gjë që i pasqyrohet atij, ai adapton menjëherë qëndrim e tij armiqësor. “Ai nuk ka shqipëruar deri më sot emrin e atij djali (Arditit). Dhe asnjë nga kjo shumicë, nga këta ministra nuk shprehu një dhembje, nuk shprehu një keqardhje. A e dini që është vrasje shtetërore ajo, sepse kompania është shtetërore. Edhe një herë them se, nuk them se ishte e qëllimshme, por heshtja ndaj saj, heshtja ndaj një krimi të një kompanie shtetërore dhe një kryetari të Partisë Socialiste dhe kryetarit të Bashkisë të Tiranës, e bën shumë herë më të shëmtuar veprën tuaj, e bën praninë tonë këtu jashtëzakonisht të vështirë dhe të rëndë.  Dua të shpreh mbështetjen time më të madhe dhe falënderimin tim për të gjithë ato media sociale dhe më vonë dhe elektronike, të cilët e trajtuan problemin. Por mendoj se kjo është një goditje e rëndë për mbarë shoqërinë, dhe duhet të mbahen qëndrime” u shpreh Berisha.

Prokuroria të hetojë censurën që iu bë investigimit të vrasjes

Berisha i bëri thirrje Prokurorisë të shtojë në dosjen hetimore censurën e investigimit të kësaj vrasjeje, që, siç theksoi ai, për çdo njeri të qytetëruar dëshmon se cili është krimineli i vërtetë, se kush është vrasësi i vërtetë i 17-vjeçarit, që në mes të plehrave të Tiranës, me djersën e tij, turni i tretë donte të siguronte pak të ardhura për të blerë librat e shkollës e për t’u veshur më mirë për vitin shkollor. “. I bëj thirrje komisionit të mediave të mblidhet me urgjencë dhe të shqyrtojë licencën dhe çdo qëndrim tjetër ndaj atyre censorëve, xhelatë të fjalës së lirë. Është e kotë t’u flasësh lumturorëve, kjo racë e majmur duke vjedhur të varfërit shqiptarë. Nuk u flitet këtyre. Këta i ka çmendur pasuria, këtyre vetëm piktura u qarkullojnë nga 8000 euro dhuratë piktura. Këta nuk mund t’ja dinë kurrë atij prandaj e shtypin për së vdekuri. Këta shkelmojnë mbi të vdekurit, dhe kjo është më e rënda. Ndodhi akti, duhet të kesh burrërinë dhe të jesh i pari që ta shpallësh vdekje shtetërore, se aty shteti ka detyrime të tjera pastaj. Dhe me ato detyrime shteti lan veten. Ja u them këtu unë juve, se edhe Gërdecin duhet ta shpallni vrasje shtetërore, por nuk keni ndërgjegje njerëzore. Shkoni shihni Vorën si është rehabilituar. Qeveria ime bëri gjithçka për t’i kompensuar, por të vrarët nuk i kompenson dot. Por ama ne jemi njerëz që duhet të tregojmë integritet. Ajo kompani mbikëqyrej nga një kompani shtetërore. Që këtu, është përfshirja e tyre në vrasje shtetërore, pa dashje natyrisht. Ai ishte një aksident kjo s’ka diskutim. Kjo që po them do të thotë që shteti u jep familjeve dëmshpërblimin. Ky është shteti i qytetëruar. Qytetarët pësojnë çdo ditë edhe funde tragjike nga një aksident, por ato që janë të lidhura me shtetin, shteti mban qëndrim. Edhe ai që vdes në qeli, nëse vdes për faj të shtetit është vrasje shtetërore. Dhe ndërgjegjja pastrohet vetëm duke i trajtuar si vrasje shtetërore, por jo duke shkuar si horra” tha Berisha.

Exit mobile version