Jemin Shera, i akuzuar si organizator i vrasjes së biznesmenit Behar Sofia, do të gjykohet në mungesë në gjykatën e Posaçme. Procesi për të pandehurin ishte pezulluar për një vit, sikurse parashikon ligji dhe gjatë kësaj kohe pavarësisht kërkimeve, policia nuk mundi ta vërë në pranga të akuzuarin. Në këto kushte, këtë të enjte, Gjykata e Posaçme vendosi të nisë procesin gjyqësor kundër tij. Në seancë gjyqësore gjykata relatoi se vëllai i të pandehurit kishte deklaruar se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e tij, ndërsa në shtëpinë e Sherës në zonën e Zall Hjerrit, nuk është gjetur asnjë persona.
SPAK tha se nga hetimet ka rezultuar se Shera e ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe për ta realizuar vrasjen ka krijuar grupin kriminal.
Pjesëtarët e grupit e kanë vëzhguar shënjestrën e tyre për gjashtë muaj më radhë deri në momentin kur e ekzekutuan mëngjesin e 25 shkurt të vitit 2021, në afërsi të piramidës në Tiranë.
Për të provuar akuzat ndaj Jemin Sherës, prokuroria depozitoi 168 prova shkresore si dhe kërkoi pyetjen e 16 dëshmitarë dhe 5 bashkë të pandehurve në të njëjtin proces, Bujar Leza, Xhuliano Visha, Skënder Vathi, Leonard Xhixha dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ernejt Shyti.
SPAK dorëzoi në gjykatë 3 akt ekspertime telefonike të reja, prova të cilat i kishte siguruar së fundmi.
Gjykata i pranoi provat e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa pritet që avokati mbrojtës i të pandehurit të bëjë prapësimet. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 26 Janar ku do të dëgjohen nga gjykata 5 dëshmitarët e parë.
Shera dhe të pandehurit e tjerë e akuzuan Behar Sofinë kundrejt pagesës. Si ekzekutoi veproi Ernejt Shyti. Ndërsa, pavarësisht se kanë kaluar vite nga krimi që tronditi Tiranën nuk janë identifikuar urdhëruesit. Motivi i vrasjes së biznesmenit dyshohet të jenë përplasjet e grupeve kriminale në trafiqet e drogës.