Vrasja e biznesmenit, Basha vizitë në familjen Buci në Kamëz

Kryetari i PD, Lulzim Basha ditën e sotme shkoi për vizitë në familjen e tregtarit të vrarë nga maskat në Kamëz.
Ngjarja e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme jo vetëm Kamzën, por gjithë vendin.
Dy persona janë futur në dyqanin e Agim Bucit dhe në tentativë për të grabitur kanë qëlluar me armë ndaj pronarit të dyqanit dhe gruas së tij, Merita Buci.
Pronari Agim Buci ka humbur jetën si pasojë e plumbave, ndërsa gruaja e tij është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja e rëndë ndodhi reth orës 21:07, në rrugën “OSBE”, në Kamzë, në dyqanin ngjitur me banesën e çiftit Buci. Viktima Agim Buci është qëlluar me një plumb në gjoks, ndërsa e shoqja në këmbë. Më pas, autorët kanë marrë paratë që ndodheshin në kasë, që dyshohet të kenë qenë rreth 20 – 30 mijë lekë (të reja) e më pas kanë ikur. Agim dhe Merita Buci, janë prindër të 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe një djali të vetëm, i cili, fatkeqësisht, u bë dëshmitar i ngjarjes tragjike.
Banorët e zonës ku ndodhi grabitja me pasojë vdekjen e 52-vjeçarit Agim Buci, tregojnë se i kishin transportuar të plagosurit me një makinë autoshkolle, pasi ambulanca ishte vonuar më shumë se 30 minuta.
Disa dëshmitarë, që banojnë pranë vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë në Kamzë, treguan momentet e para pasi kishin dëgjuar të shtënat dhe si u kishin ardhur në ndihmë çiftit që deri në atë moment ishin të plagosur.
Ndërsa disa djem të rinj, që ndodheshin në rrugë në atë moment, kanë parë grabitësit kur po dilnin nga dyqani dhe u janë vënë pas për t’i ndaluar. Por ata kanë qëlluar me armë në ajër.
Më pas, u kanë drejtuar armët dhe i kanë kërcënuar: “Ikni se ju vramë edhe ju…”.

Exit mobile version