GJKKO ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 35 vite burg, Jemin Sherën, i akuzuar si organizator i vrasjes së biznesmenit Behar Sofia, ngjarje e ndodhur në shkurt 2021.
Në njoftimin zyrtar GJKKO thote se llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Jemin Ali Shera do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.
Shera akuzohet për “Vrasja me paramendimin”, e kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturor kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit” kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturor kriminal”
Njoftimi:
- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale ndaj të pandehurit Jemin Shera, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendimin”, e kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit” kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 278/1, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal”.
- Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Etleva Deda, me vendimin Nr. 24, datë 12.03.2025 vendosi:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Jemin Ali Shera, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës B.S, parashikuar nga nenet 78, pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vite burgim.
- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Jemin Ali Shera, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i ameve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Jemin Ali Shera, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 1 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 4 (katër) vite burgim.
- Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Jemin Ali Shera dënohet me një dënim të vetëm prej 35 (tridhjetë e pesë) vite burgim.
- Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Jemin Ali Shera do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
- Në bazë të nenit 190, pika 1 të K.Pr.Penale, sendet e sekuestruara provë materiale, te bashkohen me fashikullin e gjykimit.
- Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit përkatës, si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës, i ngarkohen të pandehurit të deklaruar fajtor me këtë vendim.
- Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.