Vrasja e Devi Kasmit, Apeli lë në burg Efthimioun e dy të tjerët

Gjykata e Apelit Tiranës konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë nga Shkalla e Parë për Efthimious Efthimiou. 41-vjeçari grek dyshohet të jetë ekzekutori i Devi Kasmit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 29 janarit pranë Spitalit të Fëmijëve në Tiranë.
Në seancën e së enjtes, togat e zeza të Apelit refuzuan kërkesën e tij për zbutje të masës së sigurisë. Efthimiou nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, ku u përfaqësua nga avokati i tij, Saimir Vishaj. Para treshes gjykuese, avokati mohoi përfshirjen e klientit të tij në ngjarje, si edhe pretendoi mungesë provash nga ana e Prokurorisë.
Kundër këtij qëndrimi ishte prokurori, i cili tha se hetimi ishte në vazhdim dhe se nuk kishte ndryshuar asnjë rrethanë që mund të sillte nevojën e ndryshimit të masës së sigurisë.

Në të njëjtën seancë, Apeli la të pandryshuar masën e sigurisë edhe për Elton Halipajn dhe Elton Hoxhallarin, të dyshuar si bashkëpunëtorë në vrasje. Burime pranë Apelit bënë me dije se, ankimi i bërë nga i prangosuri tjetër për krimin, Malvin Dinellari, do të shqyrtohet në ditët në vijim.
Javën e kaluar, Apeli la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për Mario Meshinin, dëshmitar okular në vrasjen e Kasmit, i cili po hetohet si i përfshirë në ngjarje.
Katër të arrestuarit nga operacioni policor i koduar “Enigma” dyshohet të kenë konsumuar veprat penale të “vrasje me paramendim”, në bashkëpunim, “armëmbajtje pa leje” dhe “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

 

Exit mobile version