Vrasja e dy grave nga bashkëshortët, VOA: Dhuna në familje pësoi rritje në Shqipëri

Policia njoftoi të martën se dy gra humbën jetën në Shqipëri si pasojë e dhunës nga bashkëshortët e tyre.

Sipas burimeve zyrtare policore, në Vlorë, 64-vjeçarja Hati Deliaj nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të shumta të shkaktuara nga dhuna e bashkëshortit 70-vjeçar Ëngjëllush Deliaj, ndërsa në Shalës të Sarandës 66 vjeçarja Shano Islamaj u vra me sëpatë nga bashkëshorti i saj Huso Islamaj, 69-vjeç.

Burime vendore në Vlorë thanë se 64-vjeçarja Hati Deliaj u shtrua në spital pasi kishte nofullën e thyer dhe shenja të tjera të dhunës nga bashkëshorti.

Ndërsa vrasja e gruas në Sarandë, sipas policisë, dyshohet se ndodhi gjatë një konflikti për motive të dobëta dhe më pas edhe shtetasi Huso Islamaj humbi jetën pasi u konfliktua me djalin e tij i cili sipas policisë dyshohet se e ka shtyrë duke e hedhur nga shkallët e banesës.

Ndonëse ndëshkimet janë ashpërsuar dhe gjykatat kanë dhënë dënime me burgim të përjetshëm për vrasësit e grave ky krim nuk ka shënuar ulje.

Dënimi më i fundit me burgim të përjetshëm u dha mesin e korrikut të këtij viti nga Gjykata e Elbasanit për Tefik Tashin, i cili vrau me sëpatë motrën e bashkëshortes .

Gjatë vitit të kaluar u regjistruan 12 vrasje të grave dhe qindra denoncime të tjera për dhunë në familje, të cilat sipas analistëve janë vetëm një pjesë e vogël e përmasave të vërteta të kësaj dukurie në shoqërinë shqiptare.

Sipas të dhënave të Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë numri i rasteve që janë evidentuar dhe denoncuar për dhunën në familje ka ardhur në rritje vit pas viti.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2023 ka pasur 5064 raste të denoncuara për dhunën në familje pranë policisë dhe ku me urdhër-mbrojtje janë trajtuar 2730 raste .

Edhe në 3-mujorin e parë të vitit 2024 janë regjistruar 1197 raste të denoncimit të dhunës në familje nga të cilat janë trajtuar me urdhër mbrojtje 627 raste./ VOA

Artikulli paraprakDhimbjet e shpeshta të kokës, ja tre faktorë që mund t’i shkaktojnë por që ju nuk e dini
Artikulli tjetërParkimi me pagesë në Durrës, PD – Demokratët Euroatlantikë çojnë në Administrative vendimin