Dy javë më parë, një grup ekspertësh psikiatër vlerësuan se David Qosaj, i pandehur tek Krimet e Rënda për vrasjen e një punonjësi policie, është i përgjegjshëm mendërisht. Por këtë të mërkurë, teksa Prokurori i çështjes kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm, në fytyrën e të akuzuarit nuk u vu re asnjë emocion. Ai qëndroi krejtësisht i qetë teksa përfaqësuesi i akuzës rindërtoi para Gjykatës skenën e vrasjes së efektivit të FNSH-së, Ardian Kodra në 2 shator 2016 në Torrovicë të Lezhës. Prokurori tha se shqyrtimi gjyqësor provoi tej çdo dyshimi se Qosaj është autori i vrasjes së efektivit Kodra dhe i tentativës së vrasjes së dy kolegëve të tij.
Në pretencën e Prokurorisë thuhej se ditën e ngjarjes, Qosaj u denoncua nga banorët e Torovicës pas të shtënave me armë që dëgjoheshin nga banesa e tij. Forcat e FNSH-së iu afruan godinës përmes një mjeti të blinduar. Më tej, efektivi Kodra është pozicionuar pas një peme, ku ka thirrur disa herë emrin e të pandehurit. Në këtë moment, theksoi prokurori Blerim Tominaj, duke e ndjerë rrezikun më afër, i pandehuri ka qëlluar drejt blindit dhe njëri prej plumbave i ka marrë jetën efektivit.
Gjatë procesit, dëshmitarët e palës mbrojtëse, kryesisht familjarë të Qosajt këmbëngulën në faktin se pas vdekjes së të vëllait, i pandehuri ishte njeri me humor të prishur dhe i paqëndrueshëm mendërisht.
I akuzuari Qosaj iu nënshtrua një gjykimi të zakonshëm tek Krimet e Rënda. Për këtë shkak, nëse Gjykata pranon kërkesën e Prokurorisë për mbyllje përjetë në qeli ai nuk do të fitojë ulje dënimi.