Ka marrë një tjetër drejtim procesi në ngarkim të 11 banorëve të Lazaratit të akuzuar për vrasjen e efektivit të policisë Ibrahim Basha gjatë një aksioni në Lazarat në vitin 2015. Dy dëshmitarët e mbrojtur në këtë dosje kanë prishur bashkëpunimin me Prokurorinë duke u tërhequr nga deklarimet e mëparshme.
Elvis Kaça dhe Klodian Selimi kanë pohuar para Gjykatës se deklarimet e mëparshme ku kanë treguar autorët e vrasjes i kanë bërë nën presion të policisë. Dalja nga bashkëpunimi u konfirmua gjatë gjykimit që ka nisur nga fillimi, pasi edhe Gjykata rrëzoi vendimin e mëparshëm për gjykim të shkurtuar, pas kërkesës së të pandehurit Elvis Boçia.
Në seancën e ardhshme do të dëgjohen 7 dëshmitarë, që të gjithë efektivë policie që ishin në vendngjarje, kur u vra Ibrahim Basha, si edhe të tjerë që kishin përpiluar planin e patrullimit në fshatin Lazarat.
Sipas akuzës nga hetimi ka rezultuar se një grup të rinjsh, nën drejtimin e shtetasve Arbjon dhe Alban Aliko, kanë planifikuar dhe goditur forcat e policisë, të cilat gjendeshin në patrullim në zonën e Lazaratit, në datat 23 dhe 24 qershor 2015.
Të pandehurit, së bashku edhe me persona të tjerë, kanë qenë të armatosur me armë të ndryshme dhe kanë tentuar që të largojnë me forcë policinë, me qëllim që, në zonën e tyre të rikthehej kultivimi i hashashit.