Vrasja e Egli Progës, prokurorja e çështjes ndryshohet me kërkesë të familjarëve. Postoli cilësoi akuzën ndaj Denis Meçes si “vrasje nga pakujdesia”

Drejtuesi i Prokurorisë së Korçës, ka larguar prokuroren Vasjana Postoli nga hetimi i çështjes për vrasjen e Egli Progës.

 

Ky ndryshim është bërë në përgjigje të kërkesës së familjes së viktimës, e cila kishte kërkuar zëvendësimin e Postolit për arsye që lidhen me trajtimin e çështjes dhe dhe një trajtim më të rreptë ndaj të dyshuarit.

Prokurorja Postoli kishte qenë në detyrë për të hetuar rastin e Denis Meçes, i cili është i dyshuar për vrasjen e Egli Progës.

Në një vendim të mëparshëm, ajo kishte ndryshuar akuzën ndaj Meçes, duke e cilësuar atë si “vrasje nga pakujdesia”.

Tashmë, çështja e Egli Progës do të kalojë në dorën e një prokurori tjetër, i cili do të marrë përsipër hetimet.

Kujtojmë se 42-vjeçari Egli Proga humbi jetën pasi dyshohet se u dhunua për vdekje më 10 Gusht në një lokal, nga i riu Denis Meçe.

Në ekspertizën e Institutit të Mjekësisë Ligjore thuhet se viktima kishte dëmtime në ballë, në hundë, vesh, në faqe, në supin e majtë, të cilat “janë shkaktuar me mjet të fortë mprehës, siç mund të jetë edhe goditja me grusht”.

Sipas aktit të ekspertimit, shkaku i vdekjes së 42 vjeçarit është “hemorragjia në cipën e trurit dhe hemorragjia e indit trunor”.

“Në mostrën e gjakun të viktimës u zbulua prani e alkoolit etilik në vlerën mesatare 2.82 g/L” , thuhet në ekspertizën mjeko-ligjore.

Ekspertiza mjeko-ligjore i është dërguar Prokurorisë së Korçës e cila po vijon hetimet për vrasjen e Egli Progës.

Policia arrestoi si autor të dyshuar Denis Meçen, nën akuzën e vrasjes me dashje. Por organi i akuzës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për 29-vjeçarin nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia, që solli përplasje mes Policisë dhe Prokurorisë së Korçës.

Ndërsa për tre të akuzuarit për moskallëzim krimi Voltan Shulku, Arian Manellari, Leonidha Guçe, togat e zeza caktuan masën “detyrim paraqitje”.

Exit mobile version