Vrasja e mafiozit të Vlorës, asgjë nuk bëhej pa miratimin e “Edisonit të 7 pallateve”

Ishte tmerrësisht i kujdesshëm, nuk ekspozohej dhe gjithmonë mbante njerëz të armatosur me vete. “Il Padrino” apo “Edison Faqedjeguri” dhe “Edisoni i shtatë pallateve”, siç njihet ndryshe në qytetin bregdetar të Vlorës dhe që u ekzekutua mbrëmjen e së martës në Durrës, nuk është një emër i panjohur për autoritetet.
Si u lirua nga burgu
39-vjeçari Edison Harizaj ka qenë i skeduar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend. Ai ka qenë krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe ka qenë i dënuar me 10 vite burg për vrasje. Dënim që e kishte përfunduar në vitin 2010.
Nga burgu i Fushë-Krujës në atë kohë doli duke paguar lekë. Harizaj u arrestua më 7 mars 2000, pasi akuzohej dhe më pas u provua se në bashkëpunim me Skedrijald Pashajn kishin vrarë me armë zjarri më 22 Korrik 1999, Erion Ahmetin si dhe kishin plagosur rëndë shtetasit F. D dhe N. R.

Nofkat “Edison Faqedjeguri” dhe “Edisoni i shtatë pallateve”
Në Vlorë, Edison Haziraj njihej me emrin “Il Padrino”, “Edisoni i shtatë pallateve” apo “Edison Faqedjeguri” pasi në moshë të vogël kishte pësuar një djegie në faqe dhe asgjë nuk bëhej pa miratimin e tij. Ka dyshime se ka qenë i përfshirë dhe në zhdukjen e Albano Xhaferrit në Vlorë. Ngjarje ku po fokusohen edhe pistat e hetimit të policisë. Edison Harizaj është hetuar edhe për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë, por nuk u gjetën prova.
Si ndodhi vrasja
Harizaj mendohej se ishte duke udhëtuar nga Tirana drejt Vlorës me një mjet Audi dhe në shoqërinë e 33-vjeçarit të plagosur rëndë. Automjeti është qëlluar me breshëri kallashnikovi pasi mjetit të tyre i është prerë rruga nga një tjetër mjet. Harizaj ka ngadalësuar dhe ka tentuar të shmanget, por është gjendur para breshërisë së armës. Policia gjeti 15 gëzhoja në vendin e ngjarjes. Rruga ku u ngrit prita nuk ka ndriçim, ndërsa më pas u larguan në sens të kundërt të autostradës. Autorët pas atentatit kanë shkuar në zonën e Shën Vlashit të Durrësit dhe kanë djegur makinën me të cilën kryen vrasjen, e cila ishte e vjedhur. Më pas, u larguan me një tjetër makinë për të humbur gjurmët./g.sh/

Exit mobile version