Vrasja e mjekut, si u arratis autori nën hundën e policisë

Shkodra u trondit mesnatën e të premtes nga një ngjarje e rëndë. Mjeku 40-vjeçar, Ilir Alija u vra me armë nga komshiu i tij, Dritan Ymeri në sy të bashkëshortes dhe djalit 16-vjeçar. Gjithçka kishte nisur për shkak të një ndërtimi që mjeku 40-vjeçar po kryente në tarracën e përbashkët të ndërtesës. Sipas dëshmitarëve okularë, mjeku Alija dhe autori kishin debatuar ashpër më herët. Sherri verbal përfundoi me përdorimin e armës nga 26-vjeçari, i cili qëlloi me tre plumba fqinjin e tij, duke e lënë të vdekur në vend. Viktima u transportua drejt morgut me ambulancë, e cila pësoi një defekt në nisje dhe udesh ndihma e banorëve, të cilët shtynë mjetin për ta ndezur sërish.
Dritan Ymeri pas krimit u largua drejt zonës së ish-Dekorit.
Fillimisht u mendua se autori i vrasjes ndodhej në godinë, ku në ndihmë të forcave të Shkodrës erdhën edhe forcat Speciale RENEA. Pas kontrollit të godinës dhe banesës së 26-vjecarit rezultoi, se ai ishte larguar sapo kishte kryer vrasjen. Fqinjët kanë qenë ata që njoftuan policinë, ndërsa sipas tyre konfliktet mes viktimës dhe autorit kishin qenë të shpeshta për shkak të godinës 3-katëshe në të cilën jetonin të dy.

Ngjarja

Bëhet e ditur se, vrasja ka ndodhur në lagjen “Qemal Stafa” të qytetit verior rreth orës 23:45 minuta. Ilir Alija 40 vjeç, me profesion mjek ka mbetur i vrarë pas një debati me fqinjin e tij. Autori i ngjarjes është Dritan Ymeri, një 26-vjeçar të cilin policia ende nuk e ka arrestuar. Viktima dhe autori jetonin në një ndërtese 3 katëshe ngjitur me njëri-tjetrin.
Ilir Alija ka qenë duke bërë disa punime në katin e tretë, por nuk ka gjetur dakordësinë e autorit të vrasjes. Gjatë gjithë ditës palët kanë debatuar me njëri-tjetrin. Më pas, rreth orës 23:45 Dritan Ymeri ka prishur një pjesë të punimeve që po bënte 40-vjeçari.
Në këto momente Ilir Alija është zgjuar nga gjumi dhe ka dalë jashtë për të biseduar. Biseda mes tyre ka përfunduar me ofendime dhe në atë moment Dritan Ymeri ka qëlluar me tre plumba në kokë Ilir Aliajn. Vrasja e 40-vjeçarit ka ndodhur në prani të djalit 15-vjeçar dhe nënës së viktimës.
Policia e Shkodrës bëri të ditur se, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka ardhur një telefonatë për një vrasje të ndodhur në lagjen “Qemal Stafa”, te “ish Dekori”. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku ka rezultuar se:
Pas një konflikti të çastit mes shtetasit Ilir Aliaj dhe Dritan Ymeri, ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri Aliajn, ku si pasojë e të shtënave ka mbetur i vrarë 40-vjeçari, banues në lagjen Qemal Stafa. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për grumbullimin e provave ligjore, duke bërë të mundur sqarimin e rrethanave të ngjarjes si dhe dokumentimin ligjor të saj.

Vrasësi u arratis nën hundën e policisë

Vrasësi arriti të arratiset nën hundën e policisë. Arratisja e Dritan Ymerit është zbuluar kur ka ndërhyrë RENEA. Mjeku Ilir Aliaj është qëlluar për vdekje nga Dritan Ymeri rreth mesnatës. Dy familjet mësohet se kishin pasur konflikte të hershme pronësie dhe konfliktet janë shtuar, pasi viktima ka nisur të ndërtojë katin e katërt të banesës, ndërkohë që në të njëjtin kat jetonte dhe autori Ymeri.
Me të marrë informacionin për krimin e rëndë, dhjetëra forca policie shkuan në lagjen ‘Xhabije’ në Shkodër, duke rrethuar vendin e ngjarjes dhe banesën e autorit. E gjithë zona u mbajt nën kontroll, pasi autori ishte i armatosur, duke pritur mbërritjen e forcave RENEA.
Pas rreth 5 orësh rrethim pas ngjarjes së rëndë, forcat RENEA kanë ndërhyrë në banesën ku dyshohej se gjendej Dritan Ymeri. Por kur ata kanë mbërritur aty, është zbuluar se Dritan Ymeri nuk ndodhej më në banesë. Ai ishte arratisur nën hundën e gjithë policisë që mbante të rrethuar vendin, duke mos ngritur postblloqe më larg.

Artikulli paraprakAtentati ndaj biznesmenit, zbardhen sms-të kërcënuese
Artikulli tjetërProtestë kundër betonizimit, përleshje me policinë tek Parku