Vrasja e studentes në Tiranë u paralajmërua një javë më parë

Ngjarja e rëndë që ndodhi të dielën në mesditë përpara QSUT-së në Tiranë ka tronditur mbarë opinionin publik. Një vajzë vetëm 21 vjeçe studente e Fakultetit të Drejtësisë mbeti e vrarë nga dora e njeriut që e përndiqte prej kohësh duke kërkuar lidhje me të. Ariela Murati e kishte refuzuar në vazhdimësi madje për këtë histori ishin të dijeni edhe të afërm të familjes.
Ariela Murati u përlesh me Aldison Belulajn para se ai të nxirrte nga brezi një pistoletë pa leje dhe ta qëllonte në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Në pak sekonda, ai qëlloi edhe veten, para shumë dëshmitarëve, njëri prej të cilëve e rrëfen ngjarjen.
“Ai e goditi njëherë këtu, ishin duke u kacafytur. Ishin edhe dy vajza të tjera, njëra e mbante kështu në gjoks vajzën kur u vra. Debatonin që këtej ata rrugës. Dëgjova që u shti dy herë me pistoletë, pashë vajzën që ra atje, pashë dhe vajzën që ra në drejtim këtej”, tregon dëshmitari.
21-vjeçarja, studente e Juridikut, ishte me të motrën dhe një vajzë tjetër dhe po shkonte në shtëpinë që kishte me qira pranë Universitetit të Mjekësisë, kur Belulaj, studenti i Infermierisë, u doli përpara. Por dy vajzat e tjera nuk mundën ta shpëtonin.
Zharrëza është vendlindja edhe e Aldison Belulit, 23-vjeçarit që studionte për Infermieri në Tiranë dhe që ndodhet në gjendje kritike për jetën. Pasi vrau Arielen, ai qëlloi me pistoletë edhe veten. Pikërisht këtë skenar ua kishte bërë të ditur kushërinjve të Arielës vetëm një javë më parë, por duket se ata nuk e kanë marrë seriozisht kërcënimin.
Gazetarja e ABC News që ishte në vendlindjen e tyre thotë se 23-vjeçari kishte debatuar me kushërinjtë e vajzës një javë më parë në qendër të fshatit Zharrëz. Djali kishte paralajmeruar se do të bënte aktin, do të vriste vajzën dhe më pas veten, madje kishte treguar edhe dy plumbat me të cilat kreu vrasjen. Mendohet se ata i kërkuan të hiqte dorë nga Ariela dhe ta linte të qetë, por Aldisoni jo vetëm nuk hoqi dorë, por çoi deri në fund skenarin e kobshëm.

Artikulli paraprakVrasja e dyfishtë në Vlorë, ende të lirë autorët
Artikulli tjetër9.3 tonë drogë nga Shqipëria në Greqi gjatë vitit 2017