Familjarët e Idriz Karriqit, shoferit të vrarë në Kavajë shprehen se gjithçka ka ndodhur për 20 mijë lekë të vjetra, që ai kishte me vete dhe makinën. Idriz Karriqi vuante nga sëmundjet e zemrës, dhe vetëm vitin e shkuar i ishte nënshtruar një ndërhyrje, “by pass”, por për shkak të mungesës së të ardhurave ishte i detyruar të punonte. Vetëm prej pak kohësh, ai kishte dalë në pension, por paratë nuk i mjaftonin për të përballuar shpenzimet e përditshme.
Me marrjen në pyetje të shitësit të thikës dhe bariut, i cili ka qëlluar rastësisht dëshmitar i ngjarjes Policia e Kavajës pohon se është plotësuar dosja e vrasjes së taksistit. Burime nga Komisariati i Kavajës konfirmojnë se thika e autorit të vrasjes Musa Saraçit është blerë në një dyqan në Kavajë rreth orës 9:00 nga vetë ai, ndërsa në orën 9:30 ka shkuar në vendin ku qëndrojnë taksitë dhe ka prenotuar Idriz Karriqin për t’i shërbyer drejt zonës Kryevidh. Policia e Kavajës hedh poshtë dyshimet si përdorues të lëndëve narkotike të autorit të krimit dhe vjedhjen e parave të taksistit.
Autori i krimit ka pranuar vrasjen dhe si qëllim ka pasur vjedhjen e automjetit tip “Benz” që përdorej si taksi dhe jo vrasjen e tij apo vjedhjen e sendeve të tjera. Makinën e kishte planifikuar ta shiste, sepse i duheshin lekët.
Në konflikt e sipër, pasi e ka goditur me thikë e ka lënë në pyll dhe ka ikur. Rrobat i janë gjetur me njolla gjaku 24-vjeçarit, i cili ka pranuar se e ka bërë vrasjen pa e pasur në plan dhe thikën e kishte blerë për ta trembur viktimën dhe jo për ta vrarë. Idriz Karriqi u denoncua në dt 14 dhjetor nga familjarët e tij si i zhdukur në Policinë e Kavajës. Ai u gjet i pajetë një ditë më vonë rreth orës 22:00 buzë rrugës automobilistike në Gosë i therur me thikë.