Gjykata e Tiranës, përfundoi shqyrtimin e provave në procesin gjyqësor ndaj ish-deputetit të mazhorancës, Mark Froku, i akuzuar për vrasje në Belgjikë. Në seancën e fundit, pas leximit të dëshmisë së vëllait të viktimës, Gjykata administroi provat shkresore dhe më pas ndërpreu seancën për t’i lënë kohë Prokurorisë të përgatisë konkluzionet përfundimtare. Sipas Gjykatës, më 9 shkurt Prokuroria do të lexojë pretencën ndaj ish-deputetit Mark Frroku i akuzuar për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Blegjikë.
Mbi ish-deputetin e mazhorancës, Mark Frroku rëndojnë 4 akuza. Akuza e parë, ajo e vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti të ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë. Rezulton që Frroku dhe 3 bashkëpunëtorët e tij ta kenë vrarë Kurtin për shkak të përplasjeve për kontrollin e prostitucionit.
Akuza e dytë është ngritur, pasi Frroku nuk është në gjendje të justifikojë pasurinë e tij prej më shumë se 2 milionë dollarë. E treta ka të bëjë me një akumulim të pajustifikuar të të ardhurave nga ana e tij, i cili në vitin 2002 është dënuar nga autoritetet holandeze me 3 vjet burg për trafik droge. Ndërsa, akuza e katërt ka të bëjë me një ndërtim të Frrokut në rrugën e “Durrësit”, në kryeqytet. Bëhet fjalë për një godinë 4-katëshe, të cilës po i shtohej një kat dhe një shtesë anësore.
Aleksandër Kurti ra në kurthin e “Lumes”, një prostitute shqiptare me inicialet L.A. Ai kishte njohur prostitutën shqiptare me emrin “Jeta”. Kishte shkuar me të një ditë në hotel. Një ditë tjetër i shkon në vendin e punës dhe sheh bashkë me të Lumen, të cilën ai e kishte njohur që në Shqipëri, pasi ishin nga e njëjta zonë. Aleksandër Kurti i thotë Lumes se, “do t’u tregojë familjarëve të saj se ç’punë bënte ajo në Bruksel”. Ky fakt e tremb Lumen. Por situata bëhet më e rëndë, kur ai i gjen numrin e telefonit përmes Jetës dhe i përsërit të njëjtin kërcënim.
Lumja njofton për këtë Nardin, Leonard Frrokun, vëllanë e Mark Frrokut. Ndërsa Nardi njofton Lek Bib Djafën, Aleksandër Vukën dhe Hilë Morinën. Këta të tre njoftojnë Alfred Kolën që ka njohje me Aleksandër Kurtin. Por në kurth do ta fuste Lumja. Ajo i telefonon dhe i lë takim në stacionin e trenit. Problemin që kishte shkaktuar Aleksandër Kurti me kërcënimin se do të njoftonte familjarët e Lumes e merr vesh edhe vëllai i tij, Nikolas Kurti. Tre ditë para vrasjes, ai i ka telefonuar motrës së tij dhe i ka kërkuar që “kunati i saj të takojë Benin, Arben Frrokun, pasi në rast të kundërt dikush do të vritej brenda 24 orëve”.