Dalin në dritë detaje të reja për vrasjen e një të riu dhe plagosjen e tre të tjerëve në Borsh të Sarandës. Bëhet e ditur se viktima kishte shkuar në rajonin e Policisë në Borsh për të kërkuar ndihmë, pasi po kërcënohej me jetë nga disa persona, por policia nuk ka ndërhyrë.
Denoncimi i këtij skandali është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas marrjes së një mesazhi nga një qytetar nga Borshi, i cili shkruan se, viktima Enea Myftaraj kishte shkuar në rajonin e policisë në Borsh dhe kishte kërkuar ndihmë, pasi po kërcënohej me jetë nga disa persona, por oficeri i policisë i ka thënë: “Eja nesër se sot është vonë”. “I riu Enea Myftaraj, që u masakrua me thika në Borsh, 30 minuta para vrasjes kërkoi ndihmën e policisë. Çunat e krimit i thanë “le të të vrasin ty sot se nesër do merremi me ta?!?!” Krim i shëmtuar! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje dr Berisha, të uroj shëndet. Po të informoj për ngjarjen tragjike në fshatin Borsh. Djali që ka qenë i kërcënuar nga dora gjakatare, Enea Myftaraj është kërcënuar me jetë 30 minuta para ngjarjes. Enea ka shkuar në postën e Policisë kanabiste, Borsh dhe ka njoftuar pseudopolicin Shefqet Toçi; “Më rrezikohet jeta nga disa persona”. Përgjigjja e policit ka qenë e prerë; “Nesër e zgjidhim se është vonë”. Eneas, sipas informaconeve, i kanë dalë prapë banda para. Duke parë situatën, ka thirrur shokët në mbrojtje se policia po flinte. Kjo papërgjegjshmëri e policisë çoi në konflikt me mjete të mprehta, vdekjen e një djali të ndershëm dhe punëtor dhe plagosjen e 3 të tjerëve, dhe këta të pafajshëm. Të lutem anonim se ç’nuk pret nga kanabistët”, shkruan qytetari.
Ngjarja tragjike
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Borsh të Sarandës gjatë orëve të para të ditës së djeshme. Katër persona i kanë zënë pritë 31-vjeçarit në rrugë dhe e kanë goditur me thika. Policia bëri të ditur se gjatë përleshjes me thika ka humbur jetën 31-vjeçari Premtim Bega, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ende nuk dihet motivet e ngjarjes, ndërsa personat e plagosur janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Viktima shkruan në faqen e tij në Facebook se banon në Borshin e vjetër; ka kryer shkollën e kulinarisë dhe punon si kuzhinier. Mësohet se një 24-vjeçar me inicialet E.O ndodhet në gjendje kritike për jetën. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa pritet të merren dëshmitë e personave të plagosur.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se janë arrestuar tre persona për këtë ngjarje. “Në datë 26.07.2017 rreth orës 00:40, në sallën operative Sarandë mbërriti një telefonatë që njoftoi se në fshatin Borsh, në rrugën kryesore ka ndodhur një konflikt midis disa të rinjve me disa të dëmtuar. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë ku ka rezultuar se në konflikt janë përfshirë disa persona për motive të dobëta. Gjatë konfliktit ata kanë përdorur mjete të mprehta shpuese, e për pasojë kanë marrë dëmtime të rënda në trup shtetasit P.B., 31 vjeç, banues në Borsh, i cili ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në Qendrën Shëndetësore. E.O., 24 vjeç, banues në Borsh, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. D.K., 24 vjeç, banues në Borsh. E.M, 23 vjeç, banues në Borsh, dy të fundit kanë pësuar dëmtime të lehta.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm, shërbimet e Policisë Sarandë kanë kapur në flagrancë njërin prej autorëve të dyshuar, shtetasin R.Sh., 19 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu janë arrestuar disa minuta më vonë dy autorët e tjerë të dyshuar N.H.20 vjeç dhe Xh.M. Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia nuk jep asnjë informacion për shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Dëshmitari: Pashë shokun tim që po goditej me thikë
Një nga të plagosurit, Redinel Ormenaj tha se, u përfshi në sherrin e ndodhur pak pas mesnate. Redinel Ormenaj është miku i viktimës Premtim Bega, i cili mbeti i vrarë pas një sherri me thika në Borsh. Mësohet se në konfliktin që ka nisur për shkaqe banale, u përfshinë 7 persona. Redinel Ormenaj, i cili ndodhet në spital, ka dhënë dëshminë e tij për Policinë. “Pashë shokun tim që po konfliktohej me disa të tjerë. Nuk e dija çfarë kishte ndodhur. Shkova vetëm t’i ndaja, mirëpo katër vetë më goditën disa herë me kaçavida. Aty rashë në tokë. Ata ishin të përgatitur”, tha ai për Policinë.
Edhe dëshmi të tjera konfirmojnë se ndaj të riut Premtim Bega ishte ngritur një pritë në Borsh. “Unë nuk e di për çfarë janë zënë. Thuhet se mbas sherrit që nuk e di ku nisi, njëri nga grupet i ka bërë pritë në rrugë dhe i kanë goditur ata të grupit tjetër. I kanë bërë copa me thika. Këtu kanë marrë goditjen e fundit, tek rruga që të çon për në plazh”, tha një dëshmitar tjetër. Ai thekson faktin se, ambulanca u vonua shumë për t’u dhënë ndihmën e parë të plagosurve.