Vëllai i Fëllënza Rrasës që u vra nga burri i saj në Babunjë të Divjakës, thotë se shkak është bërë dhuna e vazhdueshme në familje. Klemend Muça tregon në një intervistë për Klan News vuajtjet e motrës së tij.
“Më tregoi babai që e kishin gjetur 2 herë nga këtu e deri poshtë të rrahur me gjak. Motra ime nuk ka vuajtur prej varfërie. Motrën time e kam mbajtur unë nga Italia me lekë. Kam marrë kredi, ia ka mbyllur vëllai. Çdo gjë që ka kërkuar”.
Madje Fëllënza 10 vite më parë kishte tentuar vetëvrasjen.
“Nga vështirësia e çdo gjë, ajo ka pirë dhe fotoksina, edhe e di shumë mirë policia. Kunati, për 10 minuta e çoi në Lushnje, në urgjencë, i shpëtoi jetën. Flasim para 10 vjetëve. Edhe kjo është një konfirmim në daç i policisë, në daç i spitalit”.
Nga frika se mos kryente ndonjë vrasje, Fëllënza fshihte plumbat e armës që burri mbante në shtëpi.
“Hekurani në orën 14:00 të dielën si dje 1 javë, më merr në telefon, më kalo motrën. I thashë motra nuk është këtu. Fol me mua çfarë do. Kërkoj fishekët e armës. I thashë ke armë në shtëpi? Dua fishekët ku i ka fshehur. Motra ime, kur erdha në shtëpi e pyeta, se në fakt s’ia tregova i thashë nuk e di kur të shkoj te shtëpia të flas me motrnë, edhe ta bisedoj edhe të marr në telefon. Motra tha i kam fshehur për kërcënim se kisha frikë mos më vriste”.
Klemend Muça thotë se kishte shkuar pak ditë para ngjarjes në Policinë e Divjakës për të denoncuar dhunën e kunatit të tij, por denoncimi nuk ishte pranuar.
“Kam qëndruar 1 orë e gjysmë duke komunikuar. As më futën brenda, përjashta kam folur me 3 policë. Ka qenë përgjigjia e tyre: O djali mos u mërzit sepse në Shqipëri jemi. Vijnë ndahen 2 ditë, 3 ditë, edhe bashkohen. E njohim shumë mirë personin, nuk është siç po na tregon.
Përgjigjia ime ishte: E njihni te klubi, e njihni te rruga, e njihni te puna, por nuk e njihni te shtëpia. Te shtëpia e njeh motra ime, e njeh familja ime. Më bëni një nder, më nxirrni nga kjo situatë, verifikoni armën, po më kërkon fishekë. Mos ia trego fishekët, thotë, s’ka ç’i bën ai”.
Pak ditë para vrasjes, viktima kishte shkuar te shtëpia e prindërve duke kërkuar që mos të kthehej më te bashkëshorti. Por djali i saj Leonardi i kishte thënë që të kthehej.
“T’i mbushi mendjen djalit të pafajshëm, bjere nënën te shtëpia, motrën time. Nuk e ka denoncuar për atë djalë. Se donte fëmijën. Unë motrës time i thashë në telefon mos shko se e njihja. Kaluan 40 orë. Telefonata e fundit që bëra unë mos shko. Më tha ti ke një djalë, edhe unë kam një djalë. Sa e do ti djalin tënd? Unë i thashë e dua djalin. Edhe tëndin e dua më shumë se timin. Por i ke dhënë frymën e vetë”.
Mbrëmjen e 18 Shtatorit, Fëllënza Rrasa u qëllua me plumb çifteje në mjekër nga Hekuran Rrasa i cili qëlloi më pas edhe veten.