Një 52-vjeçar ka humbur jetën dje në Durrës, pasi mbeti i plagosur gjatë një sherri me bashkëfshatarin e tij. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 09:40, në fshatin Jubë, Sukth, ku shtetasi Asti Mici, 57 vjeç, për motive të dobëta ka goditur me mjete të forta, në pjesën e sipërme të këmbës shtetasin Ludovik Lala. 52-vjeçari fatkeqësisht ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës. Nuk dihen ende motivet e krimit dhe se si ka ndërruar jetë 52-vjeçari nga goditjet në këmbë.
Mësohet se viktima Ludovik Lala dhe autori Asti Mici ishin komshinj me njëri-tjetrin dhe kishin konflikte të vazhdueshme me motive pronësie. Ata janë rrahur sot në mëngjes dhe më pas e kanë qëlluar njëri-tjetrin me mjete bujqësore, kazma e lopata. Sherri ka nisur për një zetor uji që viktima e kishte lënë në anë të lumit Erzen dhe kjo ka ngjallur pakënaqësi tek autori 57-vjeçar Asti Mici.
Ai i ka kërkuar që ta zhvendosë zetorin, por ndërkohë, burimet thonë se mjeti bujqësor ishte vendosur në tokë publike dhe nuk ishte as në pronën e viktimës dhe as të autorit. Gjatë debatit, dyshohet se 57-vjeçari Mici e ka goditur fqinjin me korrësen e barit në pjesën e kofshës, duke e dëmtuar në arterien kryesore. Për shkak të gjakderdhjes, 52-vjeçari humbi jetën në spital. Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar për të zbardhur ngjarjen.