Një nga personat e dyshuar si të përfshirë në ngjarjen e Elbasanit ku humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë është edhe Klement Xhaferri. Ai është shpallur në kërkim policor për shkak të dyshimeve se, mund të jetë i përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, dhe madje dyshohet se ka mbetur dhe vetë i plagosur.
Pavarësisht se vrasja e Elbasanit dhe përplasja mes grupeve ka ndodhur në prani të Policisë, Xhaferri i njohur ndryshe dhe me nofkën “Kel Çami” ka mundur që të largohet pa u vënë në pranga.
Gazetarja Klodiana Lala ka treguar në emisionin “Opinion” se Xhaferri e ka telefonuar personalisht dhe i ka deklaruar se është i gatshëm të përballet me prokurorinë dhe policinë. Lala tha se e ka të regjistruar bisedën dhe se Xhaferri i ka thënë që është gjendur në atë ngjarje disa minuta pasi ka ndodhur vrasja pasi banon në atë zonë.
“Klement Xhaferri më ka telefonuar ditën e sotme pasi i kam nxjerrë emrin si një nga personat. Ai është në kërkim policor pasi ka dyshime që është përfshirë në këtë ngjarje. Klement Xhaferri më ka deklaruar zyrtarisht, pasi pati një kërcënim ndaj meje, më tha që unë jam i hapur për t’u përballur me policinë dhe prokurorinë.
Telefonata është e regjistruar. Më ka thënë një detaj tjetër, që unë jam gjetur aty, pak minuta nga ngjarja për shkak se banoj në atë zonë. Po e sqaroj sepse më ka telefonuar personalisht duke kundërshtuar faktin se nuk ishte i përfshirë dhe nuk ishte në kërkim policor. Është e konfirmuar policia se është në kërkim policor”, tha Lala.
Ndërkohë më herët Gazment Bardhi tha se një nga personat e përfshirë në këtë ngjarje është Klement Xhaferri, i cili ka tentuar të largonte makinën dhe personin që po blinte vota. Sipas tij, Xhaferri është autori i plagosjes së dy anëtarëve të SMV së PD-së.
“Aty kanë mbetur të plagosur Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, të dy ish punonjës të Policisë së Shtetit, pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votave në Elbasan. Në këtë moment ka pasur të shtëna me armë mes palëve”, tha Bardhi në një deklaratë për shtyp.