Vrasja në Torovicë, pronari i baxhos: Grabitësit donin paratë e qumështit

Zbardhen detaje të reja për krimin e ndodhur të martën në Torovicë të Lezhës, ku një 26-vjeçar mbeti i vdekur gjatë një tentative grabitjeje. Në momentin e atentatit, i riu Ajet Qokthi humbi jetën në sediljen e parë të kamionit, që drejtohej nga kushëriri i tij Agron Qokthi, bashkë me të cilin mblidhte qumështin e bagëtive të zonës. Agron Qokthi ka rrëfyer në polici se nuk ka asnjë konflikt me asnjë person, ç’ka shton dyshimet e një tentative për  grabitje.
Kushëriri i viktimës ka deklaruar se, ndërsa lëvizte me furgonin e tij në drejtim të Torovicës, sapo ka kaluar nga një kthesë, në zonën e quajtur “Benti” ka parë 2 persona të armatosur dhe me maska, që i kanë dalë menjëherë në rrugë. Pa kuptuar se çfarë po ndodhte, dëshmitari thotë se ndaj tyre është hapur zjarr me kallashnikov.
Vrasja e 26-vjeçarit është kryer pas rezistencës ndaj grabitësve për të mbrojtur paratë e qumështit për banorët e Torovicës. Viktima bashkë me xhaxhain po udhëtonin me kamionçinë drejt Torivicës për shpërndarjen e parave për dy muajt e fundit, një shumë e konsiderueshme që ka tërhequr vëmendjen e grabitësve.
Xhaxhai i viktimës, Agron Qokthi (pronar i një baxhoje) ka deklaruar për policinë se dy autorët ishin me maska dhe nuk kanë arritur të grabisin asgjë. “Nuk kam konflikte me askënd. Ngjarja nuk ka ndodhur për shkak të konkurrencës, por dyshoj për një tentativë grabitjeje. Autorët kanë qenë dy persona të maskuar, të cilët na kanë dalë përpara në rrugë. Na kanë qëlluar me armë direkt në lëvizje e sipër, pasi nuk kemi ndaluar”, ka pohuar në polici Agron Qokthi. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë dy autorët e ngjarjes.
Mëngjesin e të martës, 40-vjeçari Agron Qokthi po udhëtonte së bashku me nipin e tij Ajet Qokthi, me një kamionçinë me targa AA553BY nga Shkodra për në drejtim të Torovicës. Në hyrje të fshatit Torovicë, dy persona u kanë zënë pritë dy shkodranëve. Në një kthesë (zonë e pabanuar) kamionçinës i ka dalë para një autoveturë pa targa.
Mësohet se drejtuesi i autoveturës ia ka bërë me shenjë shoferit të kamionçinës që të ndalonte, por ai nuk u është bindur agresorëve, duke vijuar rrugën. Menjëherë autorët e pritës kanë qëlluar në drejtim të tyre me breshëri automatiku.
Për pasojë, 26-vjeçari Ajet Qokthi, i cili udhëtonte si pasagjer ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa xhaxhai i tij (drejtuesi i mjetit) u ka shpëtuar plumbave. Pas vrasjes, autorët e krimit nuk kanë ndjekur kamionçinën, por janë larguar në drejtim të Shkodrës.

Artikulli paraprakVdekja e policit, lihet në burg djali i ish-deputetit të PS
Artikulli tjetërU kap me kokainë, gjykata lë në burg vëllain e shefit të Komisariatit Dibër