“Vrasje e babait?” Basha: Babai respektohet, Berisha ka qenë për mua një lloj shkolle…

PJESË NGA LIBRI

Në fjalimin tim të parë përpara grupit parlamentar, asokohe isha kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe jo deputet, unë ofrova bashkëpunimin tonë si opozitë për cështjen e integrimit europian të Shqipërisë, e cila është për mua interes i padiskutueshëm kombëtar. Mendova që opozita dhe pozita do të shtronim së bashku një rrugë të re bashkëpunimi në të mirë të vendit për cështjet me interes kombëtar. Këtë fjalim, këtë mundësi për të konsoliduar demokracinë tonë për të mirën e Shqipërisë, e pasoi anulimi i statusit për nëpunësin civil dhe hedhja në erë e asaj marrëveshjeje që kishim bërë për procesin e integrimit europian dhe të gjithckaje që partnerët tanë prisnin nga Shqipëria. Kështu, opozita ime ka pasur të paktën pesë vështirësi shtesë, pesë vështirësi sui generis, pesë rrethana të reja për të cilat më është dashur të reagoj, të rrezikoj, t’i përshtas apo t’i përballoj duke strukturuar një politikë dinamike opozitare dhe duke qenë sot kandidati për qeverisjen e re të shqiparëve.

“FTESA PER TE VRARE BABAIN”

Së pari, lidershipi im në krye të Partisë Demokratike erdhi pas gati 25 vitesh drejtimi dhe dominimi nga lideri i saj historik, Sali Berisha, i cili nga vetë kushtet historike kishte një peshë shumë të madhe në jetën politike dhe në gjirin e Partisë Demokratike. Krijimi i profilit tim mbas këtij lidershipi nuk ishte dicka e lehtë. Tentacionet apo keqkuptimet rreth kësaj gjëje janë të pafundme dhe kur i dëgjoj më bëjnë të nënqesh. Kam pasur ftesa private apo publike, miklime apo thirrje, marrëveshje apo “deklamime” për të “vrarë babain”. Është qesharake, sepse nuk është as në traditën e partive të djathta, as në botëkuptimin apo në formimin tim, dhe as në traditën e fisnikërisë apo konservatorizmit që të “vrasim babain”.
Babai respektohet në shoqërinë tonë dhe kudo në shoqëritë e shëndosha; jeta ndjek ciklin e saj dhe gjërat shkojnë dhe ecin përpara dhe përvoja vecse mund të vlejë.
Kjo ftesë e përhershme për të “vrarë babain” më është dukur gjithmonë jo vetëm qesharake, por dhe e pakuptimtë, kur në të vërtetë përvoja dhe lidershipi i Sali Berishës si lider politik mund të ishin për mua vetëm se përparësi; për të marrë një mendim, për të rrahur ide, për të bërë një diskutim. Ishte, në një mënyrë, një lloj shkolle të cilën ishte privilegj që ta kisha dhe jo barrë që ta vuaja. Sali Berisha respektohet, dëgjohet, është pjesë historisë së Partisë Demokratike dhe së djathtës shqiptare, si lideri historik i saj. Dhe si i tillë, mendimi se kam një përvojë të tillë ku mund të mbështetem ka qenë lehtësim për mua dhe aspak një barrë.
Mbi këtë është spekuluar vazhdimisht, duke u përpjekur të krijohet ideja e dualitetit, ideja e mbikëqyrjes, ideja e patronazhit. Ndonëse këto janë të gjitha krejtësisht të pavërteta, mua më është dashur të lëviz në këtë terren. Liderët e mëparshëm të opozitës ose kanë qenë vetë themeluesit e partisë ose i kanë mbyllur derën paraardhësit. Pëshpëritej kudo në Tiranë se Fatos Nano nuk guxonte as të shkelte në Partinë Socialiste pasi u largua nga drejtimi i saj, sepse mund që portieri të mos ia hapte as derën. E pra, kjo nuk është Partia Demokratike, kjo nuk është e djathta. Ne jemi ndryshe. Partia Demokratike është e hapur për të gjithë, aq më shumë për njërëzit që kanë bërë histori brenda saj, si Sali Berisha.

REFORMA NE DREJTËSI

Së dyti, gjatë opozitës sime ndodhi një kurth i paimagjinueshëm, pasojat e të cilit vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot. Reforma në Drejtësi dhe kapja e saj thuajse totale nga ana e kundërshtarit me anë të një plani të mirëstudiuar dhe të mirëpërgatitur. Rezultati: sot kemi një shtet pa drejtësi! Ne sot po futemi në vitin e pestë me një drejtësi të gjymtuar. Ky pushtet ishte jo vetëm i gjerë, jo vetëm i lidhur me krimin, jo vetëm me fuqi financiare kriminale, por krejtësisht arbitrar, pa mbikëqyrjen dhe kontrollin e drejtësisë. Kjo e ka bërë opozitën time shumë të vështirë. Kjo, dhe vetëm kjo, ky alarm, sidomos pas vjedhjes së strukturuar të votave në zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër dhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 të dëshmuara nga dosjet hetimore 184 dhe 339 e bëri opozitën të merrte një vendim të paprecedent. Nëse drejtësia do të kishte bërë punën e saj sic¸ duhet, sigurisht që vendi nuk do të hynte në një krizë politike. Kur nuk ka institucione të drejtësisë, e vetmja rrugë që mbetet për ta vendosur drejtësinë është rruga politike. Me të gjitha instrumentet që politika ka në dorë…

AKUZAT PËR RAMËN

Përkundër kësaj qëndron kundërshtari im në krye të asaj që një analist i majtë e ka përkufizuar si “aleanca e qelbësirave” frikacak, i babëzitur, i pangopur me pushtet, bir i abuzimit dhe mbrapshtisë, i cili e ka ndërtuar pushtetin e tij me kriminelët që nuk kanë të sosur, si në radhët e deputetëve, ashtu edhe të kryetarëve të bashkive. Ai është i futur dhe i zhytur personalisht në praktikat kriminale të vjedhjes së votës dhe në përgjime të vërtetuara nga dosjet e shtypit ndërkombëtar dhe nga hetimet e strukturave të drejtësisë, pa asnjë kontroll dhe monitorim, pa asnjë kundërbalancë, duke ndërmarrë ligje në shkelje të hapur të Kushtetutës, të normave elementare, të konventave dhe të kodeve ndërkombëtare.

Ai është sot i njollosur me dy rekorde të zeza, të cilat nuk do t’i tretë dot biografia e tij politike. Ai ka organizuar në thyerje të ligjit dhe dekretit të Presidentit të Republikës zgjedhje moniste në 30 qershor 2019 dhe një vit më vonë ka ndryshuar Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, duke prishur një pakt kombëtar për Reformën Zgjedhore të garantuar nga aleatët ndërkombëtarë, të firmosur në “shtëpinë” e ambasadores amerikane dhe të mbështetur fort nga ambasadorët e vendeve partnere. Nuk ka biografi më të zezë për një Kryeministër në lidhje me liritë demokratike dhe trajtimin e opozitës, sesa ajo e Edi Ramës.

Anormaliteti i qeverisjes së tij dhe efekti shkatërrues për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare, do të ndëshkohet me turp nga historia pas ndëshkimit me votë nga shqiptarët më 25 prill të këtij viti. Unë propozoj dhe besoj në një rrugë krejt tjetër, krejt të re. Jo vetëm nuk do të krijoj asnjë rrethanë rënduese për rregullat demokratike për kundërshtarin tim, por do t’i krijoj kryetarit të ardhshëm të opozitës mundësi krejt të tjera. Në radhë të parë, unë do të propozoj kthimin në shtratin demokratik të traditës 25-vjec¸are të demokracisë shqiptare, ku ligji zgjedhor dhe kuadri i garës elektorale të miratohet në mënyre të përbashkët dhe konsensuale. Ky është një kusht minimal, pa të cilin demokracia nuk mund të ecë përpara dhe as të konsolidohet.

Exit mobile version