Një vrasje makabre ka ndodhur në Bërzhitë të Tiranës. 74-vjeçarja Fatime Hida, e cila jetonte e vetme në fshat, është gjetur nga fqinjët e lidhur këmbë e duar dhe e masakruar nga maskat. Në vendin e ngjarjes shkuan forca të policisë, të cilat konstatuan se e moshuara ishte lidhur dhe ka humbur jetën nga asfiksia si pasojë e bllokimit të rrugëve respiratore. Burime të policisë bëjnë të ditur, se dyshohet që motiv i vrasjes ka qënë grabitja.
Të njëjtat burime thanë se, përpara pak ditësh, ajo kishte shitur disa bagëti dhe autorët kanë ditur që ajo kishte një shumë parash në banesë, për të cilat kanë kryer edhe grabitjen. Grabitësit vrasës kanë bastisur shtëpinë, duke kërkuar për paratë e të moshuarës. Nga informacionet e marra kjo shtetase jetonte e vetme, pasi ishte e ve. Kufoma është dërguar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë. Policia thotë se po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Banorët: U grabit dhe më parë, policia s’bëri asgjë
Banorët e lagjes ku ndodhi vrasja makabre bënë të ditur dje, se 74-vjeçarja është grabitur edhe një vit më parë, por policia nuk bëri asgjë për të gjetur autorët.
Sipas të afërmëve, 74-vjeçarja e cila jetonte e vetme, është grabitur dhe dhunuar edhe dy vite më parë, por ngjarja kishte mbetur e pazbuluar nga policia. Sipas tyre, Fatimja fillimisht pasi ishte grabitur kishte thënë se e njihte grabitësin, por nuk e tregonte. Të pyetur nëse viktima e kishte njoftuar policinë për ngjarjen e përpara dy viteve, të afërmit shprehen se nuk e dinë. Sipas të afërmëve, Fatimja thoshte që ka qenë grua me flokë të gjata, por do të ketë qenë burrë që ka vënë paruke.
Të afërmit tregojnë se 74-vjeçarja ishte një grua punëtore, që edhe pse fati nuk e kishte ndihmuar, mundohej të siguronte vetë të ardhurat, duke mos iu bërë barrë atyre, madje edhe një televizor të cilin e moshuara e kishte në shtëpi, ishte si pasojë e një investimi holandez.
Sipas policisë, vdekja e të moshuarës ka ardhur si pasojë e asfiksisë. Deri tani, policia ka shoqëruar disa persona, kryesisht banorë të fshatit për t’i marrë në pyetje, edhe pse ende nuk ka të arrestuar asnjë. Nga të dhënat e para dyshohet se shitja e disa bagëtive disa ditë më parë, ka nxitur grabitësit të mësyjnë në shtëpinë e të moshuarës për t’i vjedhur paratë, e për pasojë kanë lënë atë të vdekur.