Vrasjet e profilit të lartë kanë ndikim në luftë, çdo ndodhë pas eliminimit të gjeneralit rus Kirillov?

Nga Con Coughlin

 

Në një epokë kur dronët dhe sulmet kibernetike, po dominojnë sot fushën e betejës, nënvlerësohet jo rrallë arti i kryerjes së atentateve specifike ndaj figurave të rëndësishme. Edhe pse kjo praktikë e lashtë daton më shumë se 2000 vjet më parë dhe bazohet tek doktrina ushtarake te librit të famshëm “Arti i Luftës” të Sun Tzu në shekullin V Para Krishtit, komandantët e sotëm priren të fiksohen tek armët që godasin pa dallim, siç janë sulmet ajrore, forcat e blinduara, artileritë dhe raketat.

Megjithatë, siç e tregoi vrasja këtë javë e një gjenerali të lartë rus në Moskë, eleminimi i një figure kyçe në hierarkinë ushtarake të armikut, mund të ketë një ndikim shkatërrues në aftësinë e tij për të bërë luftë, por edhe duke i shkaktuar një goditje të fortë moralit të tij.

Komandantët e lartë, e kuptuan vlerën e vrasjes së liderëve kryesorë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Winston Churchill ishte objektiv i shumë tentativave për vrasje, përfshirë një komplot të çuditshëm të nazistëve për ta vrarë atë, duke futur fshehurazi një copë çokollatë-bombë në sallën që shërbente si dhoma e ngrënies nga Kabineti i Luftës.

Ndërkohë britanikët dërguan një ekip të forcave speciale, SAS, për të vrarë gjeneralin e famshëm  gjerman Rommel në vitin 1944. Konflikti mund të kishte përfunduar shumë më shpejt nëse oficerët gjermanë që komplotuan vrasjen e Adolf Hitlerit me një valixhe-bombë po atë vit, do të kishin pasur sukses.

Gjenerallejtënant Igor Kirillov, komandanti rus i vrarë në qendër të Moskës këtë javë, vështirë se mund të krahasohet me Hitlerin dhe Churchillin, sa i përket rëndësisë për luftën që po zhvillon vendi i tij. Megjithatë vdekja e tij, e realizuar me metodën klasike të shpërthimit të një bombe të lidhur me një skuter elektronik të parkuar jashtë banesës së tij, do të jetë një goditje e madhe për Kremlinin, në një kohë kur rusët po përpiqen ty ruajnë vrullin e tyre ushtarak në frontin e luftës në Ukrainë.

Si kreu i programeve të armëve kimike dhe biologjike të Rusisë, Kirillov ishte akuzuar për kryerjen e krimeve të ndryshme të luftës, të cilat përfshinin përdorimin e dronëve për të hedhur armë kimike në pozicionet e vijës së parë të frontit ukrainas. Pasi kishin paraqitur tashmë akuza zyrtare kundër ushtarakut të lartë rus, ukrainasit iu drejtuan më pas vetëgjyqësisë për të neutralizuar një figurë kyçe në operacionet luftarake të Rusisë.

Kirillov ishte edhe një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, dhe shfaqej shpesh në televizionin rus për të propaganduar disa nga teoritë konspirative më të çmendura të Moskës, siç është pretendimi i çuditshëm i vitit të kaluar, se SHBA-ja po planifikonte të përdorte dronë “të projektuar për të përhapur mushkonja të infektuara mbi ushtarët rusë”.

Duke kryer atentatin në Moskë, ukrainasit i kanë dërguar një sinjal të qartë Kremlinit, se ata kanë aftësinë të godasin në zemër të shtetit rus. Për më tepër, vrasja e Kirillov, vjen në mesin e shtimit së ndjeshëm kohët e fundit të vrasjeve të tilla, që synojnë figurave kyçe në komandën ushtarake ruse.

Në fillim të këtij muaji, eksperti rus i raketave Mikhail Shatsky u qëllua për vdekje pranë shtëpisë së tij në Moskë, ndërsa një oficer i marinës ruse dhe një drejtor burgu janë vrarë së fundmi në sulmet me auto-bombë në pjesë të Ukrainës së pushtuar nga Rusia.

Përdorimi në rritje i atentateve specifike nga ukrainasit, vjen në një moment kur të dyja palët në konflikt po përpiqen të fitojnë epërsinë përpara kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë muajin e ardhshëm. Trump e ka bërë të qartë se një nga veprimet e tij të para pas marrjes së detyrës, do të jetë përfundimi i armiqësive në Ukrainë.

Ndërsa është shumë herët të vlerësohet ndikimi i dëmshëm që do të kenë vrasjet e Kirillov dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, raste të tjera të atentateve të kryera me kujdes dhe sukses, kanë treguar se sa efektive mund të jenë ato në ndërprerjen e operacioneve të forcave armiqësore.

Për shembull, Izraeli shënjestron rregullisht individë të veçantë për të arritur qëllimet e tij, pa pasur nevojë të përdorë alternativën shumë më sfiduese të përfshirjes në veprime ushtarake direkte. Kështu, programi bërthamor i Iranit, për të cilin shërbimet sekrete perëndimore besojnë se po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore, ka pësuar pengesa të shumta për shkak të vrasjes së disa shkencëtarëve të shquar bërthamorë iranianë.

Kohët e fundit, izraelitët janë angazhuar në vrasjen e figurave kyçe brenda organizatave terroriste të mbështetura nga Irani si Hamasi dhe Hezbollahu. Vrasja e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili vdiq gjatë një sulmi me raketa izraelite në hotelin e tij në mes të Teheranit, shkaktoi një goditje të rëndë ndaj grupit terrorist, pikërisht në kohën kur ai po përpiqej t’i bënte ballë sulmit ushtarak të Izraelit në Gaza.

Po ashtu edhe Hezbollahu ka e ka të vështirë ta marrë veten pas eliminimit nga Izraeli të liderit të tij Hassan Nasrallah, i cili vdiq në një sulm  të madh ajror izraelit në selinë e tij në Bejrut në shtator të këtij viti. Edhe ushtria amerikane nuk është kundër përdorimit të atentateve në rrethana të caktuara.

Shumë nga udhëheqësit e lartë të Al-Kaedës, përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, u vranë nga raketat e lëshuara nga dronët amerikanë. E njëjta gjë ndodhi me luftëtarët e Shtetit Islamik. Forcat britanike përdorën taktika të ngjashme në vitin 2015 për të eliminuar xhelatin famëkeq të Shtetit Islamik “Xhihadistit Xhon”, terroristin anglisht-folës përgjegjës për vrasjen brutale të disa pengjeve perëndimorë.

Vrasjet specifike, mund të jenë një nga taktikat më të vjetra të luftës. Megjithatë ato mund të jenë po aq efektive sa edhe opsionet e tjera të disponueshme në luftimet moderne. /Përshtatur nga “Daily Telegraph”

Exit mobile version