Ngjarjet e shumta kriminale kohët e fundit në Lushnje kanë shkaktuar furtunë në komisariatin e këtij qyteti.
Është shkarkuar shefi i komisariatit të Policisë, Elton Pepa dhe në vend të tij ka ardhur Ardian Metani, i cili ka mbajtur shefin e Krimeve të Rënda në Vlorë.
Për të forcuar strukturën e këtij komisariati është emëruar shef krimesh Klodian Jashari si edhe shef rendi Julian Çela. Elton Pepa është emëruar specialist pranë ZQK Interpol Tirana.
Gjatë vitit të fundit në Lushnje kanë ndodhur një mori vrasjesh mafioze duke rikthyer frikën e ngjarjeve të vitit 1997 në qytet.
Në tetor të vitit të shkuar u ekzekutua në lokalin e tij Besmir Hida, 35 vjeç. Hida ishte daja i Zamir Latifit të vrarë në tetor të vitit 2017 bashkë me Jurgen Hoxhën.
Po ashtu, në 14 dhjetor u ekzekutua sërish në lokalin e tij Enver Boriçi, vëllai i Arben Boriçit i dënuar me burgim të përjetshëm si pjestar i bandës së Lushnjes. Enver Boriçi gjithashtu ka qenë pjesë e bandës së Lushnjes.
Për të dyja këto vrasje nuk ka asnjë të arrestuar apo shpallur në kërkim, gjë e cila duket se ka çuar në marrjen e masave për komisariatin e Lushnjes.