Ali Qazimaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e dy pensionistëve në Suffolk të Britanisë, në fillim të këtij muaji, është shqiptar. Qazimaj ka qenë i dënuar në Shqipëri për disa krime. 42-vjeçari u arrestua dy ditë më parë në Luksemburg, në një hotel ku i fshihej policisë. Ai dyshohet se ka vrarë me thikë Peter Stuart, 75 vjeç dhe ka zhdukur bashkëshorten e tij, Sylvia, 69 vjeç.
Një letër e gjetur nga një shoku i tij i dhomës dhe që iu dorëzua policisë nga reporterët e gazetës “The Sun”, ngriti dyshimin e vërtetuar më pas se, 42-vjeçari, që përdorte emrin e vjedhur Ali Qazimaj, është shqiptar.
Në letër shkruhet se: “900 metra tokë për t’u shitur, 300–500 metra nga e djathta e rotondos kur vjen nga aeroporti ‘Nënë Tereza’ në Tiranë me dokumente të rregullta, me tapi origjinale. Kontakt telefon L. T Tiranë 0035569 ….”.
Një javë më parë, më datën 12 qershor, autoritetet britanike kërkuan bashkëpunimin e policisë shqiptare, pas letrës së zbuluar dhe pas vërtetimit në Kosovë se, Ali Qazimajt të vërtetë, i është vjedhur identiteti.
Policia e Shtetit, brenda pak ditësh, i ka konfirmuar autoriteteve policore britanike se, i dyshuari është shtetas shqiptar, i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale në Shqipëri. Burime nga Policia e Shtetit kërkojnë mirëkuptimin për të mos bërë me dije momentalisht identitetin e vërtetë të 42-vjeçarit nga Shqipëria e Mesme, për arsye të hetimit.
“Një person nga personeli i hostelit në Luksemburg e identifikoi autorin nëpërmjet fotografive të tij, të postuara në internet dhe më pas njoftoi autoritetet, të cilët bënë të mundur arrestimin tij”.
Trupi i Peter Stuart u gjet i pajetë në pyll, rreth 15 metra lart shtëpisë së tij në Weybread, të Suffolk, më 3 qershor. Ai dhe bashkëshortja e tij u raportuan të humbur atë ditë.
I shumëkërkuari për vrasjen e një çifti të moshuarish anglezë, Ali Qazimaj, 42 vjeç, është arrestuar nga Policia e Luksemburgut. Qazimaj ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e 75-vjeçarit, Peter Stuart dhe zhdukjes së bashkëshortes së tij, 69-vjeçares Sylvia. Qerimaj u arrestua në një hotel në Luksemburg, pasi një nga punonjësit e stafit të hotelit e ka identifikuar përmes fotove që qarkullonin në internet.