Vritet në aksident një i ri në Gjirokastër

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri është regjistruar mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 në vendin e quajur “Kthesa e Viroit”, ku një automjet tip ‘Mercedes Benz’ me targa AA 976 OX ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore. Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i mjetit Blerim Bizhga 32 vjeç, banues në Tepelenë.
Nga aksidenti ka mbetur i plagosur rëndë dhe shtetasi S.L, 24 vjeç, banues në Tepelenë, i cili udhëtonte në mjet. Ai është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Gjirokastrës për ndihmë mjekësore. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Nga hetimet paraprake, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e makinës, duke e nxjerrë atë jashtë rrugës.
Fatkeqësisht afër këtij vendi, 32-vjeçari Bizhga kishte humbur vëllain në një tjetër aksident automobilistik. Aksidenti ndodhi duke u gdhirë dita e hënë. Bizhga bashkë me shokun që kishte në makinë, Sokol Lushkaj, ndodhej në një prej lokaleve të Gjirokastrës nën shoqërinë e disa miqve të tyre. Të dy po ktheheshin nga Gjirokastra për në Tepelenë. Blerim Bizhga punonte në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në Bashkinë Tepelenë, ndërsa shoku i tij i plagosur rëndë nga aksidenti shërbente si ushtar me pagesë në Forcat e Armatosura.
Dyshohet se mjeti me të cilin ata udhëtonin ka dalë nga rruga për shkak të humbjes së kontrollit mbi makinë, por edhe prej mjegullës dhe lagështirës në rrugë.

Artikulli paraprakI dënuari me 2 vjet burg, shef i Krimeve në Komisariatin Nr.2
Artikulli tjetërGjykata lë të lirë 4 tregtarët e duhanit, pezullon shefin e krimit