Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha të premten në Beograd që nëse palët vendosin se nuk kanë për çfarë të bisedojnë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen.
Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb. Aleksandër Vuçiç, duke ritheksuar qëndrimin e shprehur edhe gjatë vizitës në Prishtinë se Kosova duhet te heqë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
“Kur isha në Kosovë dje e bëra shumë të qartë para çdo udhëheqësi që takova, si edhe para medieve e komunitetit të biznesit se tarifat duhet të hiqen. Tarifat janë të papranueshme, dhe e bëj të njëjtën kërkesë këtu, që fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës duhet të ndalet. Prandaj mendoj se ajo çka do të bëjmë është të vazhdojmë të lëvizim në këtë drejtim të përqendrimit në ekonomi”, tha ambasadori Grenell.
“E ndjej që ka energji meqë po bisedojmë për të arritur përparime të caktuara. Nëse palët vendosin që nuk duan të bisedojnë, atëherë do të tërhiqemi”, tha ambasadori Grenell.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se nuk mund të pranojë barazimin e heqjes së tarifave dhe ndërprerjes së fushatës për tërheqjen e njohjeve.
“Ne kemi qëndrim tjetër për njohjen e Kosovës nga Amerika dhe Prishtina. Ata duan që pavarësia e saj të njihet e në nuk duam. Sa u përket tarifave, ato janë vënë pas asnjë arsye”, tha presidenti serb sipas të cilit Serbia vetëm brenda një viti ka humbur 435 milionë euro për shkak të tarifave.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.
Ambasadori Grenell tha se nuk i takon atij të vendosë nëse është apo nuk është e drejtë që këto gjëra të krahasohen, por ai përpiqet të përqendrohet në një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.
“Unë jam këtu për të nxitur të dyja palët për bashkëpunim ekonomik, po ua lë politikën juve”, tha ambasadori Grenell. Në këtë kuadër gjatë takimit është diskutuar edhe për vendosjen e trafikut hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai po qëndron në rajon pak ditë pasi bashkë më këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve.