Vuçiç përdor Milosheviçin për të larguar vëmendjen nga kriza

Lajmërimi i kryeministrit serb për një hetim të mundshëm të ri mbi arrestimin e Sllobodan Milosheviçit 15 vjet më parë është juridikisht i paqëndrueshëm dhe është për të shpifur në lidhje me opozitën dhe për të tërhequr vëmendjen e publikut, thonë ekspertë të ligjit dhe kritikë të qeverisë.
Policia aktualisht po shqyrton hapjen e një hetimi për rrethanat e arrestimit në vitin 2001 të presidentit të ndjerë të Serbisë dhe transferimin e tij në Gjykatën e Hagës, ku ai u akuzua për krime lufte, por vdiq para se të jepej vendimi për të.
Të martën, kryeministri Aleksandër Vuçiç tha se kishte biseduar me ministrin e Brendshëm, Nebojsa Stefanoviç në lidhje me një hetim të ri mbi arrestimin.
Ai foli, pasi Milorad Ulemek, i njohur ndryshe si “Legija”, në një intervistë me të përjavshmen “Ekspres” në fund të majit, pohoi se shërbimet e huaja të inteligjencës paguan qeverinë pro-perëndimore të Zoran Djindjiç – i cili u vra në vitin 2003 – 5 milionë euro për të ekstraduar Milosheviçin në Hagë.
Ish-komandanti i Njësisë kontroversiale policore të Operacioneve Speciale tha se njerëz të maskuar që ishin në fakt anëtarë të Forcave Speciale të Policisë, duke pretenduar se ishin anëtarë të një bande mafioze, e kapën atë në vitin 2001.
“Ne shpresojmë të zgjidhim se kush kapërceu mbi gardh me maskë për të arrestuar Presidentin e Republikës. Mund të bini dakord se ky është një krim i tmerrshëm”, tha më 28 maj Vuçiç. Edhe pse Vuçiç tha se ai dyshonte se arrestimi nuk kishte qenë i ligjshëm, ekspertë ligjorë dhe ish-anëtarë të qeverisë Djindiç këmbëngulin se arrestimi nuk ishte jokushtetues.
Duke komentuar mbi paligjshmërinë e pretenduar të arrestimit, profesoresha e drejtësisë, Vesna Rakiç Vodineliç tha se edhe pse kishte disa çështje ligjore në lidhje me të, operacioni u krye brenda kufijve të Kushtetutës.
Edhe pse në atë kohë Serbia nuk kishte ligj bashkëpunimi me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, ajo mund të arrestonte njerëzit e kërkuar nga ICTY-ja, duke qenë se Gjykata ishte themeluar nga OKB-ja, pjesë e të cilës Serbia ishte anëtare.
“Standarded e statutit të ICTY-së mund të interpretohen si brenda kufijve të Kushtetutës”, tha Vodineliç për BIRN.
Milosheviçi u arrestua më 1 prill dhe u dërgua në Hagë më 28 qershor 2001.
Në kohën e arrestimit të tij, presidenti i atëhershëm jugosllav, Vojisllav Koshtunica, po pengonte miratimin e një dekreti për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, duke thënë se ai kundërshtonte ekstradimin e qytetarëve të vendit në vende të huaja.
Qeveria Federale Jugosllave miratoi një dekret për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës më 23 korrik të vitit 2001, por Gjykata Kushtetuese Federale Jugosllave njoftoi një pezullim të përkohshëm të dekretit tri ditë më vonë, më 28 korrik.
Megjithatë, të njëjtën ditë, qeveria nën udhëheqjen e kryeministrit Zoran Djindjiç nxori një dekret për zbatimin e drejtpërdrejtë të statutit të Gjykatës së Hagës sipas të cilit Milosheviçi u ekstradua në Hagë.
Djindjiç po i referohej nenit 90 dhe 136 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, si dhe të nenit 16 të Kushtetutës së Federatës Jugosllave.
ICTY-ja më 24 maj 1999 kishte akuzuar Milosheviçin dhe katër zyrtarë të tjerë të lartë për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës kundër shqiptarëve të Kosovës, në gjysmën e parë të vitit 1999. Parlamenti i Serbisë miratoi një ligj për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës më 10 tetor 2001.
Më 5 nëntor, Parlamenti jugosllav miratoi Kodin e Procedurës Penale, i cili, në kushte të caktuara, lejonte ekstradimin e shtetasve jugosllave në gjykatat ndërkombëtare. Zoran Zivkoviç, një ministër i Brendshëm i Jugosllavisë në atë kohë, tha për BIRN se pavarësisht pengesave, çdo gjë ishte kryer në përputhje me ligjin. “Fakti që çdo gjë u bë sipas ligjit tregohet nga fakti se askush nuk u ankua kurrë për këtë, as vetë Milosheviçi dhe familja e tij”, tha Zivkoviç.
Ai tha se, Vuçiç po vinte në fokus arrestimin e Milosheviçit si një taktikë mediatike.
“Vuçiç kërkon të njollosë disa anëtarë të opozitës, të cilët janë ende aktivë në politikë”, përfundoi Zivkoviç. Sipas Vodineliç, Vuçiç po manovron gjithashtu për të larguar vëmendjen e publikut nga polemikat që vazhdojnë ende mbi prishjet brenda natës në rajonin Savamala të Beogradit, që kanë shkaktuar protesta të mëdha kundër qeverisë.
“Ai po e bën këtë për të larguar vëmendjen e publikut nga prishjet. Ai po i përcjell gjithashtu një mesazh opozitës se ata nuk duhet të përpiqen të përdorin protestat në rrugë për përfitimet e tyre”, tha Vodineliç për BIRN. Në natën e 24 prillit një grup njerëzish të maskuar shembën disa vende në bregun e lumit të Beogradit në zonën e Savamalas, përfshirë edhe një restorant dhe disa vende të tjera.
Aktivistët thonë se shkatërrimet e ndodhura gjatë natës synonin për të pastruar hapësirën për “Waterfront”-in e Beogradit, një zhvillim ambicioz, por i diskutueshëm i financuar nga investitorë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Autoritetet që atëherë kanë pretenduar se nuk e dinë identitetin e njerëzve të maskuar që rrafshuan ndërtesat në bregun e lumit.
Megjithatë, Vuçiç më 10 qershor pranoi se zyrtarë të lartë të qytetit të Beogradit ishin të përfshirë në prishjen e ndërtesave. Deri më tani, askush është ndjekur penalisht për këtë veprim.

Artikulli paraprakDokumentet e Zvicrës, DEA e heton me emrin Enver Rroshi
Artikulli tjetërPërse kritikohet Obama?