Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se në të ardhmen Kosova do të fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në tërë territorin e saj, jo pse ai do ta njohë, por për shkak se dështoi zgjidhja e ofruar prej tij, duke mos e thënë qartazi se cila ishte ajo ofertë.
Presidenti serb në një intervistë për televizionin Pink, tha të dielën se “ajo që kishte ofruar nuk kaloi për shkak të trysnisë së tmerrshme të disa vendeve dhe shërbimeve të tyre të zbulimit, që vunë në lëvizje agjenturat e plota, politike, mediale e të tjera nëpër vende të ndryshme”.
Ai i cilësoi “dyfytyrësh” ata që sipas tij, ndonëse pohuan se nuk kanë dëgjuar se cili ishte propozimi dhe zgjidhja e tij, e megjithatë e kanë kritikuar atë.
Ai tha se kishte organizuar një dialog të brendshëm në të cilin ishin ftuar të gjitha shtresat e shoqërisë. Shumë veta folën tha ai, duke nënvizuar se disa kërkuan ndarjen, disa konfliktin e ngrirë, ndërsa opozita përveç që ishte kundër tij, nuk tha asgjë.
“Dhe unë ju pyes, cila është zgjidhja përveç që Kosova në të ardhmen, jo me dëshirën time dhe jo që unë do ta njohë, do të fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në tërë territorin e saj.
Pastaj do të pyes ata që kanë protestuar dhe kanë folur për shumë gjëra, përse e keni pse e keni bërë këtë dhe si është e mundur që nuk e patë realitetin dhe që e penguat mundësinë që Serbia të nxjerrë diçka për popullin dhe vendin?”, tha presidenti serb.
Dy ditë më parë, presidenti serb tha se ideja e tij për vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve ka rënë tashmë dhe kjo do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë.
Komentet e tij pasuan takimin e Berlinit të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron me vendet e Ballkanit Perëndimorë më 29 prill, ku temë kryesore ishte çështja e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Takimi nuk arriti të sigurojë rifillimin e bisedimeve të pezulluara para një gjysmë viti për shkak të reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vënë tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Takimi i Berlinit përfundoi me pajtimin që të mbahet një takim i ri më 1 korrik në Paris, në një përpjekje për rifillimin e procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas një pjese të pjesëmarrësve por edhe vëzhguesve, takimi i Berlinit u dha fund ideve për prekjen e kufijve si rrugë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.