Vuçiç zbulon komplot, takon ambasadorët e SHBA e BE-së

Kryeministri i Serbisë ka takuar diplomatët e BE dhe SHBA me kërkesën e ambasadorit amerikan Kyle Scott Randolph dhe kreut të Delegacionit të Bashkimit Europian në Serbi, Michael Davenport.
Takimi pason pretendimet e gazetave dhe stacioneve televizive të para si të afërta me qeverinë, se mediat e pavarura dhe lëvizjet qytetare në Serbi janë duke punuar nën udhëheqjen e ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së për të destabilizuar qeverinë e Aleksandër Vuçiçit.
Në takimin e të hënës, ambasadorët i thanë kryeministrit Vuçiç se vendet e tyre janë të përkushtuara të ndihmojnë Serbinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE dhe ne mirëpresim përkushtimin e kryeministrit Aleksandër Vuçiç për të vazhduar rrugën e BE-së”, tha ambasada e SHBA në Beograd pas takimit.
Ambasada gjithashtu tha ajo e kuptonte punën e madhe të qeverisë për reformat dhe forcimin e gjyqësorit, që janë të nevojshme, nëse Serbia do të hyjë në BE.
Komisioni Europian gjithashtu mohoi përfshirjen në lëvizjen e qytetarëve “Të mos mbytet Beogradi” dhe “Mbështet RTV”, pas akuzave nga TV Pink, TV Studio B dhe tabloidi “Informer”, të cilat janë të gjitha të afërta me qeverinë.
Polemika filloi kur Dragan Vuçiçeviç, redaktor i Informer, në konferencën për shtyp të Kryeministrit të mërkurën, akuzoi BE-në dhe SHBA-në se ka sponsorizuar mediat dhe fushatat e qytetarëve me qëllim destabilizimin e Serbisë – dhe kryeministri Vuçiç u pajtua me të.
Zëdhënësja e Punëve të Jashtme dhe Sigurisë të BE-së, Maja Koçijançiç ka deklaruar të enjten se akuzat janë të pabaza.
“BE-ja është e dedikuar me vendosmëri dhe padyshim në perspektivën europiane të Serbisë dhe BE-ja është donatori më i madh financiar dhe partneri tregtar i Serbisë”, kujtoi Koçijançiç.
Kreu i think tankut Qendra për Studime Euro-Atlantike, Jelena Miliç, tha se diplomatët po e paralajmëronin Vuçiç të tërhiqet.
“Ata që e kuptojnë gjuhën diplomatike dhe situatën politike në Serbi mund të kuptojnë nga deklaratat e ambasadës se kjo ishte një mënyrë për t’i thënë kryeministrit të ftohë retorikën”, tha ajo.
Megjithatë, ajo shtoi se nuk ishte e sigurt se, kryeministri do ta dëgjojë fjalën e ambasadorëve.
“Jemi duke u futur në një situatë të ngjashme me Turqinë… shoqëria po shkon drejt autokracisë. Ajo që shqetëson më shumë është de-legjitimimi i lëvizjeve jo të dhunshme dhe procesit demokratik”, shtoi Miliç.
Miliç gjithashtu pohoi se, zërat e mediave të afërta me qeverinë nuk janë vetëm zërat e tyre, por në mënyrë të qartë shprehin pikëpamjet e Kryeministrit.
Sipas gazetës “Politika”, Vuçiç ka anuluar vizitat e planifikuara më parë në Uashington dhe Bruksel, edhe pse ende nuk ka ende një konfirmim për këtë nga qeveria.

Srebrenica të shpallet genocid

Në prag të 21-vjetorit të masakrave të Srebrenicës muajin e ardhshëm, tre OJQ-të serbe i bënë thirrje anëtarëve të Parlamentit të premten të miratojnë një rezolutë që i dënon si gjenocid vrasjet nga forcat serbe të Bosnjës.
“Serbia duhet të tregojë vlerat që ne përfaqësojmë. Ne nuk mund të jemi liderë pajtimi në rajon, nëse mohojmë gjenocidin”, tha në një konferencë për shtyp Anita Mitiç, drejtoreshë e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut me bazë në Beograd.
Nemanja Stjepanoviç nga Qendra për të Drejtën Humanitare tha se, roli i shtetit serb në masakrën e Srebrenicës ishte i padiskutueshëm, sepse ai mbështeti dhe financoi Ushtrinë Serbe të Bosnjës.
“Kombi serb nuk është gjenocidal dhe kjo është arsyeja pse serbët duhet të dënojnë gjenocidin që individë të caktuar kryen në emër të kombit”, tha Stjepanoviç.
Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Qendra për të Drejtën Humanitare dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut me qendër në Beograd i bënë gjithashtu thirrje deputetëve të marrin pjesë në një takim përkujtimor për viktimat e gjenocidit para ndërtesës së Parlamentit në Beograd më 11 korrik.
Masakrat janë përcaktuar si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata shtetërore boshnjake.

Artikulli paraprak“Franca nuk na tremb, marrim rezultat”
Artikulli tjetërObama reagon për masakrën e Orlandos