Vukaj: Ndjekje penale për sponsorët e fushatës

Ministrja e Financave, Helga Vukaj paralajmëroi ndjekje penale për ata që favorizojnë sponsorizuesit e fushatës. Vetëm dy ditë pasi mori detyrën, ministrja teknike e Financave, Helga Vukaj ka kërkuar nga administrata doganore që të distancohet nga çdo veprim i paligjshëm që cenon standardet e zgjedhjeve. Gjatë këtij inspektimi, Vukaj ka qenë e prerë ndaj administratës doganore, ku ka kërkuar që të distancohen nga çdo veprim i paligjshëm që cenon standardet zgjedhore. “Ministrja Vukaj theksoi rëndësinë e përmbushjes së objektivave fiskalë dhe vlerësimin strikt të procedurave doganore për të shmangur çdo rast abuzimi, që favorizon operatorë të veçantë të biznesit, me qëllim financimin e aktiviteteve elektorale”, njofton zyra për shtyp e saj. Madje, ministrja e re, ka paralajmëruar të gjithë ata që do të shkelin ligjin dhe do të përfshihen në fushatë se do të ketë jo vetëm masa administrative, por edhe penale ndaj tyre. “Ajo kërkoi me prioritet nga agjencitë ligjzbatuese rritjen e eficencës së kontrolleve doganore kundër trafikut të drogës dhe hartimin e një planveprimi për një reagim të shpejtë dhe të koordinuar me Policinë Kufitare”, theksohet më tej në njoftim. Në takimin me Shërbimin Doganor dhe Policinë Kufitare Durrës, ministrja e Financave, Helga Vukaj shoqërohej edhe nga ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.

KQZ marrëveshje për mbikëqyrjen e financimit të partive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve firmosi dje një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar për kontrollin e financimit të partive politike në zgjedhjet e 25 qershorit. Marrëveshja u firmos nga kreu i IEKA-s dhe kreu i KQZ Zguri. “Ky proces nuk nis dhe përfundon sot, është një proces që nuk përfundon asnjëherë. Teknologjia e informacionit po i ndryshon gjërat dhe jetën tonë. Jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që na presin. Gjithsesi shprehim vullnetin dhe e falënderoj kryetarin për vlerësimin dhe kërkesën që ka bërë për të qenë partnerë. Ne jemi autoriteti që grupojmë dhe janë individët që do të angazhohen në varësi të parimeve përkatëse”, tha kreu i IKEA. Marrëveshja Rama-Basha parashikon forcimin e rregullave për të mbikëqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme. Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore. Këto ndryshime, së bashku me ministrat teknikë, kreun e ri të KQZ dhe Avokatin e Popullit, rezultat i marrëveshjes politike të 18 majit, u miratuan në seancën e pasdites të së hënës në Kuvend. Konkretisht marrëveshja e 18 majit parashikonte ndryshimin e Kodit Penal për forcimin e politikës penale nëpërmjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni. Forcimi i kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to. Përmirësimi i standardeve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media. Një tjetër pikë e rëndësishme është ndryshimi i ligjit për financimin e partive. Sipas propozimit të PD-së, partitë politike nuk duhet të përfitojnë më financime nga subjektet private, por vetëm nga financat publike.

Exit mobile version