Nga Fitim Zekthi
Partia Demokratike e Shqipërisë, siç dihet, është zhytur në një luftë të brendshme shkatërrimtare që prej shtatorit të vitit 2021. Që pas dhjetorit të vitit 2021 kur Sali Berisha me lëvizjen e tij zhvilluan një takim në stadiumin Kombëtar Arena me pretendimin se ai ishte kuvendi kombëtar i Partisë Demokratike nisi të përdoret vazhdimisht arsyetimi se atyre iu takonte vula e PD-së, logoja e PD-së etj.
Që nga ajo kohë u prodhua një teori e re politike, e padëgjuar ndokund në botën që mbron parimet e lirisë dhe të drejtës, që thotë se partia është atje ku është shumica, që thotë se të gjithë duhet të ndjekin shumicën.
Që nga ajo kohë pandalur nga çdo përfaqësues i lëvizjes së Sali Berishës thuhet me forcë se atyre iu takon partia, se ata janë shumica, se pjesa tjetër ajo që njihet si Partia Demokratike zyrtare ka rrëmbyer vulën dhe logon, ose edhe më keq se Rama iu ka rrëmbyer vulën dhe logon. Ky arsyetim, këta togfjalësha mbi legjitimitetin që të jep (sipas tyre) shumica, kjo teori e re politike që thotë se atje ku është shumica është legjitimiteti, se të gjithë duhet të ndjekin shumicën, se deputetët dhe përfaqësuesit e tjerë të partisë duhet të shkojnë “atje ku është baza” kanë mbushur sallat, tryezat, ekranet aq dendur sa duket si blasfemi të flasësh ndryshe.
Në përgjithësi mendësitë totalitare përpiqen të imponojnë qasjen e tyre duke krijuar një atmosferë të tillë që publikut t’i ofrohet vazhdimisht dhe fort e njëjta gjë. Mendësitë totalitare funksionojnë duke “normalizuar të pamendueshmen”, siç thotë profesori i Wharton School, Eduart S Herman në librin “Triumfi i tregut”. Normalizimi i të pamendueshmes është përpjekja e vazhdueshme që të normalizohet, të bëhet të duket si e drejtë, të duket si diçka e zakonshme, të shfaqet si rutinë diçka që është e pamendueshme, e papranueshme, e palogjikshme, e tmerrshme.
Herman thotë se në këtë mënyrë mund të normalizohen dhe janë normalizuar krime, gjenocide, shtrembërime të mëdha të të vërtetave, dhunime lirish dhe të drejtash, përhapje gënjeshtrash me qëllim dominimin e njerëzve. Herman thotë tekstualisht: bërja e gjërave të këqija në një mënyrë të organizuar dhe sistematike mbështetet tek “normalizimi”. Ky është një proces ku gjërat e këqija, rrenat, vjedhjet, vrasjet, sjelljet degraduese, bëhen rutinë dhe pranohen si “mënyra se si bëhen gjërat”.
Kjo gjë ka ndodhur me diskursin e lëvizjes së Sali Berishës. Ai ka qenë aq i organizuar, aq i sistematizuar, i përdorur gjerësisht pandalur gati çdo ditë në çdo media sa është “normalizuar” dhe ajo që është një lemeri, një rrenë totale, një e padrejtë dhe plotësisht jo legjitime të marrë pamjen e të drejtës, legjitimes, normales. Ka disa kohë që grupit të Sali Berishës i është bashkuar edhe ish sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi së bashku me disa deputetë të tjerë dikur kundërshtarë të egër të Sali Berishës. Ata po thonë gjithashtu me forcë se partia është shumica, se ata shkuan tek shumica, se legjitimiteti i takon atyre dhe shumicës, se të gjithë duhet të bëjnë atë që do shumica, se gjykata tashmë duhet të vendosë pro tyre dhe pro shumicës. Pra “normalizimi” vazhdon rrugën e tij dhe kërkon të bindë këdo, edhe gjykatën, se ajo që ata duan është e drejta dhe legjitimja.
Siç u përmend pak më lart, qasja e grupit të Sali Berishës është një teori politike e re dhe e padëgjuar në botën që përpiqet të jetojë dhe ndërtojë sjelljen dhe veprimin e saj në përputhje me parimet e lirisë dhe të drejtës. Legjitimiteti i një pushteti, legjitimiteti i ushtrimit të pushtetit, legjitimiteti i drejtimit të një organizate, të një qeverie apo të një entiteti çfarëdo nuk ka të bëjë dhe nuk buron nga çfarë do shumica apo çfarë kërkon shumica apo ku është shumica.
Teoria themelore mbështetet mbi formulimin e bërë nga David Beetham, filozof i njohur politik anglez. Beetham thotë se legjitimiteti i një pushteti, i një qeverisje, i një vendimmarrjeje, i drejtimit të një organizate kalon përmes tre hapash, duhet të plotësojë tre kushte. Tërë politika në botën demokratike, kuptimi, ligjet dhe kushtetutat, qeverisjet apo organizimet e tjera funksionojnë duke ndjekur këto hapa, duke plotësuar këto kushte.
Që një vendim të jetë legjitim, që një qeverisje, të jetë legjitime, që një pushtet të jetë legjitim, që një vendimmarrje të jetë legjitime duhet në radhë të parë të merret në përputhje me rregullat e miratuara dhe të rëna dakord më parë. Beetham thotë se ky është kushti themelor. Pa këtë nuk ka legjitimitet. Në lidhje me vendimin e marrë në stadium dhe në lidhje me pretendimin se ai ishte kuvendi kombëtar duhet thënë se gjithçka aty nuk iu nënshtrua rregullave që janë miratuar më parë, nuk iu nënshtrua kërkesave të statutit. Ajo mbledhje në stadium nuk ishte dhe nuk është dhe nuk mund të quhet kurrë një mbledhje apo kuvend i zhvilluar sipas kërkesave të rregullave të miratuara më parë.
Kuvende që mund t’i thërrasë anëtarësia ka, kuvende që mund t’i thërrasin anëtarët e kuvendit ka por nuk ka kurrë kuvend që thirret në këtë mënyrë dhe nuk merr miratimin e Kryesisë apo Këshillit Kombëtar të partisë. Rregullat (statuti) e thonë qartë. Në historinë politike të botës ka patur kuvende që thirren nga anëtarësia. Janë me dhjetëra të tilla, por ato janë miratuar të gjitha nga komitete drejtuese të partive. Vetëm partia socialdemokrate gjermane (partia komuniste atëherë) në vitin 1913 ka zhvilluar një kongres pa miratimin e organeve drejtuese. Dhe u bë luftë, luftë e nisur nga krahu më radikal i komunistëve të asaj partie. Raste të tjera bota nuk ka. Rasti i dytë është ky i mbledhjes së stadiumit. Pra as partitë komuniste nuk kanë ndonëse ato kanë zhvilluar luftëra të tmerrshme që nga viti 1890, e më pas.
Kushti i dytë që duhet të plotësojë një pushtet, një qeverisje, drejtimi i një organizate, një vendimmarrje që të jetë legjitime, duhet që rregullat të përfaqësojnë, të bartin, të brendësojnë vlerat e anëtarëve. Duhet që këto vlera të jenë të tilla që të respektojnë parimet themelore që formojnë botëkuptimin dhe besimin e anëtarëve të asaj organizate. Shkurt, në qoftë se je komunist, duhet që të respektojnë ideologjinë komuniste, të nisen nga premisa se nuk ka Zot, të synojnë barazinë, të jenë kundër lirive fetare, kundër lirive politike dhe kundër pronës private dhe të pretendojnë se populli në gjendjen e vet natyrore zotëron të vërtetën absolute. Në qoftë se je konservator, rregullat duhet të kenë burim tjetër, duhet të nisen nga ideja se Zoti ekziston, ata duhet ta shohin njeriun si gabues, duhet t’i japin vlerë institucioneve, të kufizojnë pushtet dhe të luftojnë kundër pretendimeve se dikush apo se populli zotëron të vërtetën absolute. Përderisa nuk u zbatuan fare rregullat e statutit atëherë nuk mund të thuhet kurrë se ajo që ndodhi në stadium ishte në përputhje me rregullat që përfaqësonin apo që bartnin vlerat e anëtarëve. Vlerat e anëtarëve janë thënë në statut. Në statut thuhet se PD është një parti e djathtë që beson tek liria, vlerat e besimit në Zot, etj.
Kushti i tretë thotë Beetham është se vendimmarrja, pushteti, qeverisja, drejtimi i organizatës duhet të mbështetet nga shumica e njerëzve, e anëtarëve etj.
Pra vetëm në fund kërkohet miratimi nga shumica. Pra legjitimiteti nuk fillon nga shumica, legjitimiteti fillon nga rregullat dhe nga vlerat që bartin rregullat. Lëvizja e Sali Berishës e përmbysi kokëposhtë legjitimitetin dhe tha se ai është shumica, se të gjithë duhet të shkojnë te shumica. Beetham thotë se një qeveri, një drejtim i caktuar, një pushtet është legjitim edhe kur shumica janë kundër mjafton që të jetë fituar dhe të ushtrohet brenda rregullave të miratuara më parë, rregulla që bartin vlerat e njerëzve apo anëtarëve.
Këtu mbyllet çdo diskutim për legjitimitetin. Ne megjithatë po e shtyjmë pak më tej për të kuptuar me qartë shtysat jo logjike madje antilogjike të arsyetimit të grupimit të Sali Berishës.
Ai grupim pretendon se është i djathtë, se është konservator pavarësisht se nuk ka asnjë lidhje me gjëra të tilla. Është e gdhendur me germa ari në mendimin konservator, në botëkuptim konservator ajo që ka thënë Edmund Burke. Burke është padyshim gurthemeli i mendimit politik konservator. Në fjalimin që Burke, i cili ishte deputet, mbajti para zgjedhësve të Bristolit tha se “përfaqësuesi i njerëzve duhet të bëjë gjithçka për ta, të lërë mënjanë çdo interes të tijin për interesin e tyre, të sakrifikojë çdo gjë të tijën për ta, por ai nuk duhet të bëjë kurrë atë që duan ata. Përfaqësuesi i mbron ata me vlerat dhe idetë që di dhe ka, bën atë që di dhe mundet nuk bën atë që duan ata. Në qoftë se përfaqësuesi bën atë që duan njerëzit, ai po i tradhton ata, kjo është tradhti.”
Pra kjo ideja e kotë dhe antilogjike se të gjithë duhet të shkojnë tek baza, se duhet të ndjekin bazën është një marrëzi që nuk ka lidhje me të djathtën dhe përfaqësimin. Kjo është mospërfaqësim, është tradhti. Pra, deputetët e PD-së, njerëzit e forumeve duhet të heqin dore nga budallallëku, nga formulimet e tilla se duhet të “ndjekim bazën, duhet të bëhemi me bazën, koha tregoi se unë isha pakicë dhe shumica është andej”. Këto janë gjëra qesharake politikisht ose janë gjëra që tregojnë se ata që i thonë janë ekstremisht majtistë dhe komunistë në mënyrën se si e kuptojnë politikën, njeriun dhe botën.
Nga ana tjetër duhet thënë se shumica, turma, tufa ka qene shpesh herë në anën e të gabuarës, në anën e të shtrembëtës. Edhe tekstet e shenjta flasin qartë për gabimet, marrëzitë e shumicës. Zoti në tekstet e shenjta të Kuranit, të Dhiatës së Vjetër, të Dhiatës së re flet shpesh për këtë aspekt të turmave dhe shumicave dhe kërkon kujdes, vëmendje dhe mosrrëshqitje. Për shembull:
Zoti thotë në Kuran në suren An’am “Ata që i përshtaten shumicës së njerëzve shkojnë ne gabim” (6-116).
Në suren Nahl, Zoti thotë “Shumica e tyre janë mosbesimtarë” (16-83).
Në suren Maide Zoti thotë “shumica e tyre janë mëkatarë” (5-49).
Në suren Rum, Zoti thotë “Shumica e tyre i shoqërojnë (të tjerë, bëjnë blasfemi) Zotit” (30- 42).
Në suren Junus, Zoti thotë “Shumë prej tyre janë të pakujdesshëm” (10-92).
Ka edhe shumë e shumë vargje të tjera në Kuran, ka mjaft e mjaft mësime të profetit Muhamed që flasin për gabimet e rënda të shumicës dhe turmës. Pra të ndjekësh shumicën si qëllim në vetvete është një gjë e gabuar..
Zoti thotë në Dhiatën e Vjetër që është libri i hebrenjve (padyshim pjesë e Biblës) “Në të vërtetë një pjesë e madhe e popullit, shumë nga Efraimi, nga Manasi, nga Isakari dhe nga Zabuloni nuk ishin pastruar, dhe e hëngrën njëlloj Pashkën, duke vepruar ndryshe nga sa ishte shkruar. Por Ezekia u lut për ata, duke thënë: “Zoti, që është i mirë, të falë cilindo” 2 kronikave 18 30.
Në Dhiatën e Vjetër thuhet “Kur shumica adhuroi viçin, Moisiu pyeti kush është në anën e Zotit. Vetëm një fis qëndroi me të…” Eksodi 32-33
Zoti thotë në Dhiatën e Vjetër “Nuk do të shkosh pas shumicës për të bërë të keqen; dhe nuk do të dëshmosh në një çështje gjyqësore duke u radhitur nga ana e shumicës për të prishur drejtësinë Eksodi 23 – 2
Në Dhiatën e Re, librin e të krishterëve thuhet “Ndërkaq disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër, saqë mbledhja ishte trazuar dhe më të shumtët nuk dinin përse ishin mbledhur.” Veprat 30 12
Në Dhiatën e re, Apostulli Pal thotë “Por Perëndia nuk pëlqeu shumicën prej tyre; sepse ishin shpërndarë në shkretëtirë (për shkak të mungesës se vetëkontrollit që çoi në mosbindje e cila i çoi në vdekje).” 1 korinthiasve 10-5
Po në Dhiatën e Re, Apostulli Palë thotë “Sepse ne nuk jemi si shumica që falsifikojnë fjalën e perëndisë, por flasim me sinqeritet si nga ana e perëndisë para perëndisë” 2 Korianthasve 2 -17
Tek Ungjilli i Mateut në Dhiatën e Re thuhet “Ti do te urrehesh nga të gjithë për shkak të emrit tim, por ai që duron deri në fund do shpëtohet”, Mateu 10 – 22
Edhe në të dyja Dhiatat si edhe në Kuran ka shumë e shumë vargje dhe kapituj të tjerë që flasin për shumicën, për turmat, për rrugën e keqe dhe të gabuar që zgjedhin shpesh turmat apo shumica.
Edhe në jetën e përditshme konservatorët nuk udhëhiqen dhe nuk duhet të udhëhiqen nga ajo që bën turma apo shumica, nuk duhet të ndjekin shumicën, duhet të ndjekin të drejtën.
Në politikë është verbëri ose mungesë e thellë morali të thuash jam i djathtë dhe konservator dhe të thuash do shkoj te shumica.
Legjitimiteti ka të bëjë me të drejtën dhe kurrë me numrat. Në qoftë se do ndjekim turmën dhe shumicën, duke mos parë të drejtën, jo vetëm që nuk kemi lidhje me të djathtën, jo vetëm që nuk kemi Zot e fe, moral e parime por jemi ndjekës të pangopur pushteti dhe tradhtarë të vetë njerëzve dhe të bazës siç thoshte Burke.
Atëherë, vula e PD-së nuk është më vulë, por thjesht një njollë e pistë. Çështja e vulës së PD-së, duhet të dalë nga ky diskutim idiot që janë numrat që vendosin. PD, duhet të dale nga kjo humbellë imorale dhe të kuptoje se opozita ekziston për të thënë të vërtetat, në fillim të vërtetat për veten. Në qoftë se shkojmë tek numrat po gënjejmë rëndë edhe veten edhe të tjerët./Liberale.al/