Vullnetarët e Enverit dhe komedia e sotme

Nga Namir Lapardhaja

Në vitet e fundit të regjimit komunist në Shqipëri, u shfaqën dy fenomene të çuditshme:

1. Njerëz që kurrë nuk kishin qenë anëtarë partie, nxituan të merrnin teserat;

2. Kur busti ra në Tiranë, në rrethe u shfaqën vullnetarët e Enverit, militantë anakronikë që kishin humbur sensin e drejtpeshimit të realitetit.

Vetëm këto dy kategori nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte.

Sot duhet të jesh naiv ose militantë i verbër që të mos e kuptosh se koha politike e Sali Berishës ka marrë fund.

Njëjtë sikurse duhet kuptuar nevoja që ka koha për ta rrëzuar këtë klasë politike, që mbahet nga interesa të klaneve ekonomike dhe mafjoze, të cilët ushqejnë politikën për t’u pasuruar nëpërmjet vjedhjes së popullit.

Nuk mund të zhbëhet kjo as me qarje, as me sharje, as me shkulje flokësh, as me tubime, as me hakrrime, as me linçime, përqeshje, as me gjë prej gjëje.

Mjafton të ndezësh butonin e arsyes. Kaq.

Të mos e kuptosh, më së paku, është naivitet.

Është përsëritje e historisë si komedi.

As ata atëherë, as këta sot, nuk e kuptojnë se nuk mund të zhbësh nevojën për ndryshim, se koha kalon dhe politika ka dinamika të reja në përputhje me nevojat e shoqërisë.

Njeriu normal bën një bilanc të vetes në fund të ditës.

Kush jam unë që mund të ndalë ndryshimin?

A nuk do ishte për të gjithë më mirë qarkullimi i elitave drejtuese?

Çfarë mund t’i ndodhë një partie që e lidh fatin e saj vetëm me një njeri?

Mos po bëhem anakronik duke u lidhur pas një anijeje të mbytur?

Po marinarët e tjerë pse e kanë braktisur kuvertën?

Mendoni këto pyetje dhe do t’ju dalë vetja qejfit.

Exit mobile version