‘Washington Post’: McGonigal zyrtari më i lartë i dënuar i FBI-së, fshehu takimet me Ramën dhe 225-mijë dollarë të marra nga Agron Neza

Ish-gjahtari i spiunëve të FBI-së dënohet me 28 muaj për fshehjen e pagesave të fshehta në para kesh

Ish-kryegjahtari i spiunëve të FBI-së në Nju Jork u dënua në Uashington të premten me 28 muaj burg për fshehjen e të paktën 225,000 dollarëve në pagesa që kishte marrë nga një ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare ndërsa punonte për këtë byro.

Çarls McGonigal do të duhet të vuajë dënimin e tij përveç një dënimi prej 50 muajsh burg që ai mori veçmas në Nju Jork vitin e shkuar për komplot të paligjshëm me një oligark rus që donte të hiqej nga lista e sanksioneve të SHBA-ve.

MekGonigal, 55 vjeç, është një nga agjentët e rangut më të lartë të FBI-së i dënuar ndonjëherë për akuza penale dhe prokurorët federalë të premten i kërkuan gjykatëses së qarkut të SHBA-së, Colleen Kollar-Kotelly, të grumbullojë dënimet pasi veterani me 22 vjet në byro pranoi se kishte kryer shkeljet që ai ishte betuar t’i hetonte.

McGonigal ishte agjent special i ngarkuar me divizionin e kundërzbulimit të zyrës së FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në pensionimin e tij në shtator 2018. Ai pranoi se kishte fshehur nga FBI-ja marrjen e pagesave nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, një ish-oficer i inteligjencës shqiptare dhe takimet e tij me zyrtarë të huaj, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. MekGonigal tha se ai kërkoi të shmangte pyetjet në lidhje me një konflikt interesi midis detyrave të tij zyrtare dhe planeve private për të ndërtuar mundësitë e tij të biznesit pas daljes në pension në atë vend.

Në një ndjekje penale paralele federale në Manhatan, MekGonigal më herët pranoi komplotin për të pastruar para dhe për të shkelur sanksionet e SHBA-së që synonin të ndëshkonin miliarderin rus Oleg Deripaska, një oligark me lidhje me presidentin Vladimir Putin. Në rolin e tij në FBI, MekGonigal ishte ngarkuar të hetonte Deripaskën, aktakuza e të cilit për akuzat për shkelje të sanksioneve u zbulua disa muaj përpara asaj të MekGonigalit.

Akuzat kundër MekGonigalit tronditën botën e heshtur të kolegëve të tij zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane, duke pasur parasysh thellësinë e njohurive të tij për praktikat e spiunazhit të SHBA-së dhe aksesin e jashtëzakonshëm në informacione sensitive. Shqetësues ishte aksesi i tij në hetimet e spiunëve të huaj ose shtetasve amerikanë të dyshuar se punonin në emër të qeverive të huaja, si dhe humbja e agjentëve amerikanë jashtë shtetit.

Në dokumentet e dënimit, ndihmësprokurorët amerikanë Elizabeth Aloi dhe Stuart D. Allen e quajtën fshehjen e pagesave nga MekGonigali, “praktikisht, korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë”. Ata shtuan, “I pandehuri është betuar se do të hetojë dhe parandalojë krimet kundër Shteteve të Bashkuara, jo t’i kryejë ato”.

Sipas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë në rastin e tij të pagesave në Uashington, MekGonigal pranoi një akuzë për fshehjen e provave materiale. Prokurorët hodhën poshtë tetë akuza të tjera: dy akuza për falsifikim të të dhënave ose dokumenteve në raportet e tij të zbulimit në FBI dhe gjashtë akuza të tjera për fshehjen e fakteve materiale ose dhënien e deklaratave të rreme për hetuesit.

Puna e MekGonigalit në emër të Deripaskës filloi në vitin 2019, kur ai u punësua në mënyrë legjitime si konsulent dhe hetues nga një firmë ligjore që përpiqej të zhbënte listën e sanksioneve të SHBA-së të manjatit të aluminit. Por MekGonigal pranoi se gjatë disa muajve në vitin 2021, ai mori detyra shtesë hetimore për të cilat ai mori ato që ai dinte se ishin pagesa të paligjshme nga një bankë e Qipros të filtruar përmes një kompanie të Nju Xhersit.

MekGonigal kishte për detyrë të gërmonte informacione negative mbi një oligark rival rus, Vladimir Potanin, me të cilin Deripaska kishte luftuar për kontrollin mbi kompanitë gjigante të metaleve industriale ruse, pasi ato u privatizuan në vitet 1990. Megjithatë, pas pushtimit të Krimesë nga Rusia, Deripaska u ndalua të bënte biznes me bankat amerikane dhe entitete të tjera. Sidoqoftë, MekGonigal negocioi me një bashkëpunëtor të Deripaskës për pagesa mujore prej 25,000 dollarësh që do të dërgoheshin në një llogari të kontrolluar nga Sergey Shestakov, një përkthyes për qeverinë amerikane, i cili ishte një ish-diplomat rus. Shestakov u akuzua me MekGonigalin dhe u deklarua i pafajshëm dhe do të dalë në gjyq në qershor në Manhatan me akuza për komplot, shkelje të ligjit të sanksioneve të SHBA-së, pastrim parash dhe deklarim të rremë./Washington Post

Artikulli paraprak“Krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për angazhimin publik të grave dhe vajzave”/ Jupi: PD-ja mbështetje për çdokënd që dëshiron të kontribuojë
Artikulli tjetër“Falënderoj Zotin për çdo ditë që i jam dedikuar çështjes së Kosovës”/ Basha: Krenarë për zhvillimin dhe progresin e Kosovës