“Watergate”, një grusht shteti i padënuar! Ç’ndodhi në ambientet e PD-së në Washington më 1974! Richard Nixon, i pari President që u dorëhoq, cilat ishin forcat e interesuara për ta rrëzuar nga pushteti

Sot mbushen 50 vjet nga dorëheqja e Presidentit Nixon prej skandalit të Watergate. Shumë ujë ka rrjedhur nga nata kur një grup “operativësh” hynë në ambientet e Partisë Demokratike në hotel Watergate në Washington DC, si dhe prej 8 Gushtit 1974 kur Richard Nixon u bë i pari President i SHBA që largohej nga pushteti me dorëheqje dhe i turpëruar.

 

Po a është e vërteta e Watergate ashtu si na është servirur përgjatë viteve? A ishte Nixon vërtet fajtor apo forca të tjera ishin të interesuara ta largonin atë nga pushteti për shkak të interesave të kundërta me politikat që ai ndoqi?

Gjatë 20-30 viteve të fundit janë zbuluar dokumente të shumta nga historianë dhe gazetarë me zë, të cilët në dallim nga version zyrtar, e konsiderojnë Watergate grusht shteti për largimin e Nixon, i ngjashëm me vrasjen e Presidentit Kenedi në nëntor të vitit 1963.

Botime të rëndësishme, hulumtime, intervista me pjesëmarrës të ngjarjes, zyrtare të cilët patën rol të rëndësishëm në këtë skandal duke filluar nga Kongresi, Shtëpia e Bardhë, gjykatës, prokurore, ish-punonjës të FBI, CIA, gazetarë, kanë vënë në dyshim variantin zyrtar të Watergate të servirur deri tani, duke zbuluar një Watergate krejt tjetër nga ai që jemi mësuar të dëgjojmë.

Perse duhej hyrë në zyrat e Partisë Demokratike në hotelin Watergate?

Të gjithë historianët, të vjetër a të rinj, e pranojnë që Nixon nuk kishte dijeni për çfarë ndodhi në zyrat e Partisë Demokratike. Po ashtu të gjithë bien dakord që hyrja në zyrat e Partisë Demokratike ishte një idiotësi pasi aty nuk mund të merrej asnjë informacion me vlerë për fushatën elektorale. Kryetari i Partisë Demokratike është një funksion i parëndësishëm dhe në zyrat e tij nuk mund të gjendej diçka që të justifikonte rrezikun që paraqiste hyrja ilegale në këto zyra.

Situata bëhet edhe me qesharake kur mëson që Kryetari i Partisë Demokratike, Larry O’Brien, kishte disa muaj që ishte vendosur në Florida për të përgatitur Konventën Demokrate për nominimin e kandidatit të tyre për President në zgjedhjet e Nëntorit 1972.

Në konvente pritej që McGovern të zgjidhej rival i Nixon për zgjedhjet e nëntorit, kështu që më shumë kuptim do kishte të futeshin në zyrat e shtabit të McGovern sesa në ato të partisë. Nixon nuk kishte asnjë dobi të bënte diversion në zyrat e asnjë rivali, pasi ai udhëhiqte ndaj çdokujt me diferencë të madhe në polle. Rezultati që ai arriti, duke mbledhur 61% të votës popullore, është rezultati me i thellë që ka arritur ndonjë President amerikan.

Watergate

Cilat ishin forcat e interesuar të rrezonin Nixon dhe pse?

Që në fillim të Presidencës së Nixon, nga zgjedhjet që bëri për postet e rëndësishëm dhe politikat që deklaroi, u kuptua, që ai do kishte përplasje me Pentagonin, lobet e forta të industrisë ushtarake, me pjesë të Kongresit dhe zyrtareve të Partisë së tij Republikane, me CIA, FBI, lobet e industrisë së shfrytëzimit të naftës, veçanërisht kartelet e naftës të Texas. Të gjitha këto grupe do të përkraheshin dhe mbështeteshin fort nga mediat liberale, të cilat e konsideronin Nixon kundërshtar të papajtueshëm. Ato prej dhjetëra vitesh e kishin goditur dhe përpjekur ta nxirrnin nga politika.

Për çfarë arsyesh këto grupe u ngritën kundër Presidentit Nixon?

Nixon, kur erdhi në pushtet pritej që të vazhdonte linjën e tij të ashpër antikomuniste e formësuar që në ditët e para të përfshirjes në politikë. Kjo do të thoshte që nga ai pritej të intensifikonte luftën në Vietnam deri sa ajo të fitohej, sikurse pretendonin gjeneralët e Pentagonit. Po ashtu nga ai pritej që të vazhdonte konfrontimi i ashpër me BS dhe gara e armatimit bërthamor. Nga Nixon pritej që të vazhdonte të mos njihte RP Kinës si dhe të rriste mbështetjen për aleatin e Tajvanit me shpresë që Chiang Kai-Shek të merrte pushtetin edhe në Kinën kontinentale.

Në të vërtetë Nixon kishte objektiva krejt të kundërta. Ato përfshinin përfundimin me dinjitet për SHBA të luftës në Vietnam nëpërmjet bisedimeve të Paqes në Paris, shtensionimin e marrëdhënieve me BS nëpërmjet bashkekzistencës paqësore dhe nënshkrimit të traktateve të mospërhapjes së armëve bërthamore dhe kufizimit të armëve strategjike, si dhe të fillonte hapja dhe eventualisht njohja e RP të Kinës.

Për të tri këto çështje të mëdha të politikës së tij të jashtme, Nixon filloi bisedime sekrete për të cilat ishin në dijeni vetëm ai dhe Kisinger. Bisedimet sekrete me BS u zhvilluan nëpërmjet ambasadorit sovjetik në Washington, Dobrinin kurse ato me Kinën nëpërmjet Shahut të Pakistanit Yahya Khan.

Për sa i takon qëndrimit ndaj lobeve të fuqishme të naftës, Nixon kur erdhi në pushtet, u shpreh që do t’i ndërpriste subvencionet shtetërore kësaj industrie dhe së bashku me kursimet nga shkurtimi i shpenzimeve ushtarake, do rriste financimin e sektorit social, kujdesin shëndetësor dhe arsimin.

Nixon kishte krijuar bindjen qe CIA që përfshirë në anësi politike dhe kishte ndikuar nëpërmjet lidhjeve me krimin e organizuar, që ai të humbte shumë ngushtë përballjen e tij me Kenedin në vitin 1960. Ai vendosi ta riorganizonte tërësisht politikën e sigurisë së SHBA, duke e zhvilluar atë nga Shtëpia e Bardhë dhe reduktuar ndjeshëm kompetencat, rolin dhe buxhetet e CIA, Departamentit Shtetit dhe atij të Mbrojtjes.

Për fat të keq Nixon shpejt pasi erdhi në pushtet, humbi një pjesë të mbështetjes në Kongres dhe në Partinë Republikane. Përveç politikave të mësipërme, të cilat binin ndesh me kongresmenë dhe senatorë të lidhur me lobet e fuqishme të luftës dhe naftës, në zgjedhjet e pjesshme të viteve 1970 dhe 1972 ai mbështeti me fonde dhe doli në fushatë për kongresmenë të caktuar duke shkaktuar zemërimin e heshtur të pjesës tjetër.

Media liberale ka qenë armike e tij e betuar që në fillimet e karrierës politike të Nixon. Përplasjet u bënë edhe më të mprehta kur ai u zgjodh President i SHBA. Nëpërmjet burimeve që mediat kishin në Shtëpinë e Bardhë, CIA, Pentagon, FBI, etj. të përditshme me influence filluan të botojnë sekrete të sigurisë kombëtare. Publikimet kishin të bënin me synimin e Nixon për t’i dorëzuar japonezëve tërësisht Okinavën, skandalin e njohur si Pentagon Papers, ku evidentoheshin gabimet strategjike të SHBA në Vietnam, bombardimin e fshehtë të Kamboxhias, mbështetjen ndaj Pakistanit në përplasjen me Indinë, etj.

Dalja e këtyre sekreteve në media, detyroi Shtëpinë e Bardhë të krijoje njësinë e njohur si Plumbers, detyra e të cilës ishte të zbulonte zyrtarët që rridhnin informacione kaq sensitive në media. Kjo njësi, ku CIA arriti të fusë me shumicë operativët e saj, u bë baza e fillimit të Watergate.

Autorë të ndryshëm, në publikimet e tyre shprehën se politikat e mësipërme krijuan përplasje të forta publike dhe të fshehta me grupet e interesave, duke përshpejtuar fundin politik të Nixon në betejën me drejtuesit e vërtetë të SHBA.

Kush e organizoi dhe implementoi Watergate?

Që në fillimet e presidencës se Nixon, për shkak të drejtimit direkt nga Shtëpia e Bardhë të politikes së jashtme dhe të brendshme, roli i departamenteve si politikëbërës u reduktua. Atyre iu la vetëm zbatimi i politikave që hartoheshin në Shtëpinë e Bardhë. Rrjedhimisht filloi lufta për informacion, nga Pentagoni, CIA, FBI, Departamentet, Kongresi e Senati. Më të fuqishmit arritën të infiltrojnë njerëzit e tyre në stafin e afërt të Nixon dhe Këshillin e Sigurisë.

Një skandal i madh u zbulua, por nuk u bë publik, me Shefin e Shtabeve të Përgjithshme, Thomas Moorer, i cili kish organizuar një rrjet spiunazhi në Këshillin e Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë ku përfshihej edhe zëvendësi i Kisinger, koloneli Haig.

CIA nga ana e saj, kishte futur operativët e vet në çdo hallke të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë. Ata jo vetëm mblidhnin informacione sekrete dhe zhvillonin aktivitete në brendësi të SHBA nën maskën e Shtëpisë së Bardhë, por kur ju duhej mundësuan Watergate. Më pas me intriga dhe manipulim të informacionit, krijuan përshtypjen e rreme në publik të përfshirjes së Nixon në mbulimin e skandalit.

Strategjia e kundërshtarëve të Nixon për ta rrezuar atë nga pushteti bazohej në tri shtylla:

1.Krijimi i skandalit

2.Përfshirja në të e Presidentit

3.Organizimi i një fushate të fuqishme në institucione, media, drejtësi, Kongres për të akuzuar Nixon me impichment ose ta detyronin të jepte dorëheqje.

Organizimin e skandalit të Watergate e bënë bashkëpunëtorët e CIA/FBI në Shtëpinë e Bardhë. Ata ishin John Dean, Këshilltar i lartë i Presidentit; Jeb Magruder, Zv.Drejtor i Komitetit për Rizgjedhjen e Presidentit; James McCord, Shef i sigurisë së Komitetit për Rizgjedhjen e Presidentit; Gordon Lidy, Këshilltar i Komitetit për Rizgjedhjen e Presidentit; Howard Hunt, Këshilltar në Shtëpinë e Bardhë si dhe një numër operativësh të tjerë.

Nga 6 personat që u arrestuan në zyrat e Partisë Demokratike, katër ishin operativë të dokumentuar të CIA, kurse Hant që drejtonte operacionin nga larg, ishte një ish- drejtues i lartë prej 20 vjetësh i CIA dhe bashkëpuntor i ngushtë i Drejtorit të CIA, Richard Helms. Pavarësisht se kishte deklaruar largimin nga CIA dhe ishte punësuar në Shtëpinë e Bardhë, ai vazhdonte të ishte operativ aktiv, por i fshehtë i CIA.

Për të kuptuar Watergate, sipas autorit Phil Stanford, duhet ditur që nga zyrat e Partisë Demokratike në hotelin Watergate, operohej një rrjet i prostitutave të nivelit të lartë me të cilat argëtoheshin zyrtarë të lartë të politikës demokratike dhe me gjerë. Ky rrjet ishte nën mbikëqyrjen e fshehtë të CIA, e cila me pas, ushtronte shantazh ndaj politikaneve të lartë. Një album me fotot e prostitutave ndodhej në tavolinën e sekretares të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Spencer Oliver. Porositë bëheshin nëpërmjet telefonit të saj ku CIA kish vendosur një përgjues.

Rreth një javë para Watergate, një nga organizatoret e rrjetit u kap nga FBI. Në Shtëpinë e Bardhë u ndez alarmi.

Këshilltari i Presidentit John Dean kishte në grupin e prostitutave të larta të dashurën dhe gruan e tij të ardhshme. Magruder, Zv.Drejtor i Komitetit për rizgjedhjen e Presidentit kishte të dashurën e tij pjesë të rrjetit. Një sekretare e Shtëpisë së Bardhë, D.S. e cila me vonë u bë gazetare e famshme e televizioneve amerikane, ishte pjesë e grupit të prostitutave. Në këtë grup bënin pjesë edhe gra politikanësh të lartë dhe gjyqtarësh.

Zbulimi i rrjetit bëri që Dean dhe Magruder të kërkonin që të rihyhej në zyrat e Partisë Demokratike gjoja për të zëvendësuar një pajisje përgjuese që nuk funksiononte, por edhe për të marrë fotot kompromentuese që do shkatërronin karrierat e shumë politikanëve. E gjithë kjo skemë dirigjohej nga bashkëpunëtorët e CIA/FBI të cilët kishin objektiv përfshirjen e Shtëpisë së Bardhë në aktivitet ilegal e më pas të mund të akuzonin Presidentin.

Që do të thyheshin zyrat e Partisë Demokratike në hotelin Watergate në 17 qershor 1972 kishte filluar të flitej nën zë në rrethe të larta të Partisë Demokratike prej disa ditësh. Grupi i policëve që arrestoi operativët e Shtëpisë së Bardhë, duhej të ishin në dijeni të asaj që do të ndodhte. Ata ishin të pozicionuar dy blloqe më larg Watergate dhe ishin të veshur civilë. Njërit prej operativëve që u kap brenda godinës, kubanezi Martinez, megjithëse u përpoq ta fshehë, iu gjet në xhep çelësi i sirtarit ku mbaheshin fotot e rrjetit të prostitutave. Këto fakte kurrë nuk dolën në dritë gjatë hetimeve. Ato u mbajtën të fshehta dhe u zbuluan shumë vite më vonë. Nëse do të bëheshin publike nuk do të kishte Watergate.

Me kapjen e 6 operativëve në zyrat e Partisë Demokratike në hotelin Watergate u arrit faza e parë, u realizua krimi. Në grupin e arrestuar ishte shefi i sigurisë i Komitetit për rizgjedhjen e Presidentit Nixon. Njërit prej të arrestuarve, Bernard Barker, çuditërisht iu gjetën në xhepa një çek i firmosur nga Hant, këshilltar i Presidentit si dhe numri i tij i telefonit në Shtëpinë e Bardhë. Kaq mjaftonte për ta lidhur Watergate me Shtëpinë e Bardhë dhe Presidentin Nixon.

Fazën e dytë, ajo e implikimit të Presidentit, sipas hulumtimeve dhe intervistave të kryera nga autorët Hougan, Colodny, Barret, Ëaldron, Shepard, Gray, Graff, Brayant, Morley, Randall, u kreu me shumë sukses, nga këshilltari i tij dhe autori i vërtetë i Watergate, John Dean, nën dirigjimin e kundërshtarëve të Nixon.

Përmes një numri manipulimesh të së vërtetës, ai arriti që të bindte Nixon dhe rrethin e tij të ngushtë, që urdhëruesi i Wategate ishte John Mitchell, ish-Prokuror i Përgjithshëm dhe Kryetar i Komitetit për rizgjedhjen e Presidentit. Për këtë gjë ai pati ndihmën e zëvendësit të Mitchell, Jeb Magruder, i cili gjithashtu, ishte një nga urdhërdhënësit e Watergate dhe luftonte për të shpëtuar lëkurën e tij.

Sipas logjikës së thjeshtë popullore, nëse urdhri vjen nga Mitchell, kjo është bërë me dijeninë e Presidentit, pasi ai ishte bashkëpunëtori i tij më i ngushtë prej më shumë se 20 vitesh. Nëse presidenti ka qenë në dijeni, padyshim që kanë qenë në dijeni edhe dy zyrtarët më të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Haldeman dhe Ehrlichman.

Këtë linjë e morën përsipër dy gazetarë gënjeshtarë, Bob Woodward dhe Karl Bernshtein, të cilët nëpërmjet një serie gënjeshtrash dhe manipulimesh të publikuara në gazetën afër Partisë Demokratike Amerikane, Washington Post, bënë që opinioni publik amerikan te bindej që Nixon po mbulonte skandalin.

Nga ana tjetër, Komisioni i ngritur nga Kongresi për hetimin e aferës së Watergate ra në duart e dy armiqve të Nixon, demokratit Sam Ervin dhe republikanit Loëell Vicker. Faktet e zbuluara më vonë, në mënyrë të pavarur nga autorët Stanford dhe Brayant, treguan që ata ishin klientë të rrjetit të lartë të prostitucionit dhe nuk kishin asnjë interes ta hetonin atë rrjet.

Për shkak të presionit të madh publik, Nixon u detyrua fillimisht t’i kërkonte dorëheqjen mikut të tij Mitchell dhe më pas të shkarkonte dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë Haldeman dhe Ehrlichman. Paralelisht shkarkoi edhe këshilltarin Dean, i cili ishte bërë bashkëpunëtor i drejtësisë. John Dean, manipulator i paskrupull arriti të zhdukë dy blloqe shënimesh të Howard Hant nga kasaforta e tij. Ne to dokumentoheshin historia e Plumbers dhe Watergate dhe përfshirja e CIA/FBI në të. Hant me këto dy blloqe mendonte të bazonte mbrojtjen e tij, por nuk ia arriti. Ai u dënua më shumë se cilido, 4 vjet burg. Në tentativat për të mbledhur faktet që Watergate ishte operacion i CIA/FBI, ai humbi bashkëshorten në një shpërthim avioni. E shoqja Dorothi Hant ishte, gjithashtu, prej më shumë se 20 vjetësh punonjëse e CIA.

Pasi shkarkoi bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në Shtëpinë e Bardhë, Nixon mbeti i izoluar, i shkëputur nga zhvillimet dhe shpesh mori qëllimisht këshilla të gabuara. Konsumi i ekzagjeruar i alkoolit e bënë ta kuptonte edhe më pak thelbin e Watergate, të cilin nuk e kish kuptuar prej fillimit.

Pasi zëvendësoi drejtorin e CIA, ai bëri një nga gabimet e tij më të mëdha gjatë Watergate, emëroi si Shef të Stafit, Aleksandër Haig, i cili deri më atëherë kishte punuar pambarimisht për rrëzimin e Nixon, pavarësisht se hiqej si mbeshtetës i tij.

Haig mori nga urdhëruesit e tij, detyrën që të bindte Nixon të jepte dorëheqje. Paraprakisht urdhërdhënësit organizuan fajësimin e Zëvendës presidentit Spiro Agnew për korrupsion dhe e detyruan te dorëhiqet. Kjo hapi rrugën për zëvendës presidentin që donte elita sunduese, Gerald Ford, i cili duhej të zëvendësonte Nixon.

Dorëheqja e Nixon u organizua nga Haig dhe media nëpërmjet të ashtuquajturës kaseta Smoking Gun, ku Nixon akuzohet se i kërkoi CIA të mbulonte Watergate.

Sot shumë historianë e shohin ndryshe bisedën në kasetën Smoking Gun. Pasi u administruan të gjithë kasetat e regjistrimeve të Nixon, interpretimi i historianëve është që Nixon paralajmëroi CIA që ta mbylle këtë çështje, sepse është produkt i saj dhe rrezikoni të zbuloni operacione të tjera të kryera në të shkuarën nga CIA. Sipas këtyre historianëve, Nixon donte t’u jepte mesazhin që, nëse Watergate do shpërthejë do të dalë llumi i Gjirit të Derrave. Me këtë nuk kuptonte vetëm ndërhyrjen në Kube, por veçanërisht vrasjen e Presidentit Kenedi pasi ata që drejtuan dhe zbatuan Watergate ishin drejtues në zbarkimin në Gjirin e Derrave dhe pjesëmarrës në hije në vrasjen e Presidentit Kenedi. Ky qëndrim shtoi edhe më shumë zemërimin e elitës me Nixon duke shtuar luftën kundër tij derisa e detyruan të dorëhiqet.

Nixon pavarësisht se u dorëhoq asnjëherë nuk pranoi që ishte fajtor për Watergate. Ai ishte gati të shkonte në gjyq për të mbrojtur veten. Elita ishte në dijeni sa shumë dinte Nixon dhe nuk mund të rrezikonte që ai të dilte në gjyq ku do të dilnin të palarat e politikës amerikane.

Nixon kurrë nuk e pranoi faljen e dhënë nga Presidenti Ford. Ai si në vitin 1960, kur pranoi rezultatin e manipuluar në zgjedhjet me Kenedin, u dorëhoq për të ruajtur reputacionin e Amerikës brenda e jashtë vendit si vendi me demokratik në botë.

Nixon është një nga Presidentet amerikanë më të shquar të shekullit të kaluar. Ai përfundoi luftën në Vietnam, shtensionoi marrëdhëniet me BS dhe nënshkroi marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe kufizimin e armëve strategjike SALT dhe ABM. Ai hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet kino – amerikane me vizitën që beri në vendin komunist.

Me mbështetjen që i dha Izraelit në vitin 1973 në luftën e Jom Kipurit, Nixon, sikurse deklaroi Golda Majer, garantoi ekzistencën e shtetit të Izraelit, e vetmja demokraci funksionale në lindjen e Mesme.

Po aq i suksesshëm Nixon ishte në politikat e brendshme. Ai i dha fund, në vitin 1970, segregacionit racor në shkollat amerikane në jug të vendit, krijoi për herë të parë Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit, e ktheu mobilizimin ushtarak nga të detyrueshëm në vullnetar, shpalli luftë kundër kancerit duke dedikuar 100 milionë $ për kërkime në këtë fushë, dërgoi astronautët e parë në Hënë, uli moshën e votimit nga 21 në 18 vjeç, luftoi ashpër krimin e organizuar me rreth 2500 dënime ndaj bosëve të krimit deri në vitin 1973, rriti pagën minimale, i dha autonomi e iu ktheu tokat amerikaneve indiane vendas. Nixon u dha prioritet femrave në fondet nga buxheti për kolegjet dhe universitetet amerikane si dhe përmirësoi ndjeshëm financimin nga buxheti federal të arsimit dhe skemës së mbrojtjes sociale.

Sa më shumë vite kalojnë aq më shumë vlerësohet trashëgimia e Nixon dhe ajo që ai bëri për popullin amerikan dhe paqen në botë.

Për këtë artikull janë shfrytëzuar burimet e më poshtme:

1. Secret Agenda (Agjenda Sekrete), Jim Hougan, 1984

2. Silent Coup (Grushti i heshtur i Shtetit), Len Colodny, 1991

3. The Strong Man: John Mitchell (Njeriu i Forte: John Mitchell), James Rosen, 2008

4. Watergate Exposed (Watergate i Ekspozuar), Robert Merritt, 2011

5. Watergate, The Hidden History (Watergate, Historia e Fshehur) Lamar Waldron, 2012

6. White House Call Girl (Prostituta e Shtëpisë së Bardhë) Phil Stanford, 2013

7. Nixon Secrets (Sekretet e Nixon), Roger Stone, 2014

8. The Real Watergate Scandal (Skandali i vërtetë i Watergate) Geoff Shepard, 2015

9. Nixon’s Gamble (Loja e Nixon) Ray Locker, 2016

10. Watergate: The Hoax (Watergate: Mashtrimi), Ashton Gray, 2016 10. Dirty Tricks ( Truket e Pista), Shane O’Sullivan, 2018

11. Haig’s Coup (Komploti i Haig), Ray Locker, 2019

12. Nixon Conspiracy (Konspiracioni ndaj Nixon), Geoff Shepard, 2021

13. Watergate, Gerrett M. Graff, 2022

14. The Mysteries of Watergate (Misteret e Watergate), John O’Connor, 2022

15. Scorpion’s Dance (Kercimi I Akrepit), Jefferson Morley, 2022

16. The Truth About Watergate (E vërteta rreth Watergate), Nick Brayant, 2023

17. Six Ways From Sunday: The Watergate Coup (Gjashtë rrugët nga e diela: Grushti i Shtetit i Watergate), Irvin Randall, 2024.

Exit mobile version