Watzke e pranon!

Hans-Joachim Watzke në ankth për të ardhmen e Pierre Emerick Aubameyang. Prej kohësh sulmuesi i Borrusia Dortmund është vënë në qendër të vëmendjes nga disa klube të mëdha europiane. Në lidhje me këto zëra merkatoje ka reaguar shefi ekzekutiv i verdhezinjve Hans-Joachim Watzke, i cili në një intervistë ka deklaruar se bomberi nga Gaboni mund të largohet, nëse ekipet e interesuara paraqesin një ofertë stratosferike për të. Por pavarësisht kësaj, Watzke është optimist se 27-vjeçari do të vazhdojë aventurën e tij në “Signal Iduna Park”.
“Kohët e fundit është folur shpesh për një largim të mundshëm të Aubameyang, por në fakt ai ende mban veshur fanellën e Borrusia Dortmund. Është e vërtetë që për të ka pasur interesim nga shumë skuadra. Sigurisht që çdo futbollist ka vlerën e tij, e njëjta gjë vlen edhe për sulmuesin tonë. Nëse na paraqitet ndonjë ofertë interesante ne do ta marrim në shqyrtim atë. Në futboll gjithçka mund të ndodhë”, u shpreh Watzke.
Për 27-vjeçarin interes të madh ka shfaqur skuadra e Realit të Madridit, por jo vetëm. PSG dhe Man. City janë vënë gjithashtu në ndjekje të futbollistit. Duke parë numrin e madh të ekipeve që kërkojnë shërbimet e futbollistit nga Gaboni, ndoshta për Aubameyang ky do të jetë sezoni i tij i fundit me fanellën e Borrusia Dortmund.
Reali i Madridit ka nisur të mendojë për merkaton e verës, ku pritet të bëjë disa lëvizje në skuadër. Arkitekti do të jetë trajneri Zinedin Zidan, i cili do të vendosë për ata që do të largohen nga merengesit, por edhe për ata që do të afrohen. Francezi ka vendosur edhe të refuzojë për momentin një alternativë, që dukej e destinuar për të firmosur në Madrid sapo të përfundonte sezoni.
Bëhet fjalë për Aubemayngun, që ka shprehur disa herë dëshirën e tij për t’u transferuar te Reali dhe nga ana tjetër ka pasur interesim konkret nga të besuarit e Florentino Perez. Gjithsesi, Zidan nuk e dëshiron, madje u ka kërkuar krerëve të klubit që të pezullojnë të gjitha kontaktet sepse nuk e shikon si elementin e duhur për skuadrën e tij.
Do të jenë muajt në vazhdim ata që mund të ndikojnë në mendimin e trajnerit, sa i përket formës që do të tregojë afrikani. Por, plani është që të vijë një sulmues me karakteristika të tjera dhe në majën e repartit të avancuar të spostohet Kristiano Ronaldo. Portugezi do të jetë 32 vjeç dhe duhet të ketë një pozicion që i jep mundësinë të mos shpenzojë shumë energji.
I përzgjedhur i klubit spanjoll duket se është Paolo Dibala. Për të marrë yllin e Juventusit, Florentino Perez ka përgatitur një shifër prej plot 105 milionë eurosh. Ofertë që pa diskutim do të merret në konsideratë nga drejtuesit bardhezinj, ndonëse janë munduar që të rezistojnë gjatë kësaj kohe. Edhe vetë argjentinasi është i joshur nga ideja për të luajtur me gjigantët iberikë, ku do të formonte një treshe me Ronaldon dhe Bejlin, ndërkohë që Morata do të vazhdonte të ishte një zëvendësues luksi.

Exit mobile version