Watzke pranon shitjen e Hummels

Borussia e Dortmundit duket se e merr në konsideratë mundësinë për shitjen e Mats Hummels, por vetëm nëse oferta që mbërrin për të plotëson vlerën e duhur monetare të vendosur nga ekipi i Signal Iduna Park. Lajmin e konfirmon vetë shefi ekzekutiv i klubit Hans Joakim Watzke. 27 vjeçari Hummels është përfolur shumë gjatë këtyre kohëve të fundit për një largim të mundshëm nga verdhezinjtë, pasi për të duket se interesohen një sërë klubesh elitare, duke filluar që nga rivalët gjermanë të Bayern Munyh deri tek klubet e angleze të Premier të Ligës si Manchester City etj.
Watzke pohoi faktin se do të ishte e gabuar nga ana e Dortmundit të mos i lejonte Hummels mundësinë e largimit, nëse ai e dëshiron diçka të tillë, por njëherazi shtoi se klubi është i vendosur që të mos hedhë asnjë hap nëse ofertat e klubeve nuk do të përkojnë me çmimin e vendosur për kartonin e 27-vjeçarit.
“Duhet ta pranojmë se një lojtar, i cili luan për ekipin tonë prej tetë vitesh dhe që për pak do të mbushë 28 vjeç ka të drejtë që të bëjë zgjedhjen që dëshiron për të ardhmen e tij. Por nëse klubet që dëshirojnë të kenë shërbimet e tij nuk janë të gatshëm të paguajnë mjaftueshëm për të, atëherë mund të themi se, Hummels ka një kontratë me Dortmundin dhe nuk besoj se në një pozitë të tillë do ta kishte problem të vazhdonte të luante për ne”, u shpreh Watzke. Performanca e Hummels gjatë këtij sezoni ka qenë impresionuese, ndërkohë që kontrata e tij me Dortmund përfundon në 2017.
Ndërkohë, Arturo Vidal ka shprehur dëshirën për ta përfunduar karrierën tek Bayern Munich.  Mesfushori kilian Arturo Vidal ka insistuar se është në skuadrën më të mirë në botë dhe se dëshiron të pensionohet në Bayern Munich.
Vida verën e kaluar u transferua nga Juventus, por ai ndjehet shumë i lumtur në Gjermani.  “Faleminderit për gjithë mbështetjen, por tani jam në skuadrën më të mirë në botë. Shpresoj të mbetem këtu deri sa të pensionohem”, tha Vidal për ESPN. Për Vidalin, interesim kishte shprehur Chelsea, por ai mohon se do të largohet nga “Allianz Arena”.

Exit mobile version