Wayne Rooney rikthehet aty ku nisi gjithçka më shumë se një dekadë më parë. Sulmuesi anglez bashkohet me Evertonin dhe flet për herë të parë nga klubi i shtëpisë. Ai nuk e fsheh gëzimin për finalizimin e marrëveshjes, duke theksuar se dëshira e tij më e madhe tashmë është të zbresë në fushën e lojës dhe të japë kontributin e tij për këtë fanellë. “Koeman ndikoi shumë në vendimin që mora. Ai ka ardhur dhe më ka takuar disa herë në Manchester, duke më bërë me dije se më dëshironte në skuadrën e tij. Kjo gjë pati një impakt të madh tek unë dhe mendoj se, Evertoni ishte opsioni i vetëm që kamë marrë në konsideratë. Ndoshta ju duket habi, por edhe pse nuk luaj që prej 13 vjetësh me Evertonin, në shtëpi vishja përherë fanellën e kësaj skuadre”,u shpreh ai.
Në vijim, Rooney dëshiron të theksojë se nuk u rikthye te Everton për të mbyllur karrierën, por për ta ndihmuar skuadrën të fitojë diçka të rëndësishme. “U ktheva sërish këtu, sepse e ndiej që mund ta ndihmoj skuadrën të rritet edhe më shumë dhe nuk është aspak e vërtetë që pranova ofertën, pasi dëshiroja të rikthehesha te klubi i shtëpisë thjesht për çështje nostalgjie. Unë dua të jem pjesë e këtij projekti dhe shpresoj ta ndihmoj skuadrën të arrijë suksese të rëndësishme edhe në fushën e blertë”, tha ai.
Evertoni ka ndryshuar shumë që pas largimit të Rooney. Sulmuesi e pranon një gjë të tillë dhe shton se nuk ka dashur të luajë për asnjë klub tjetër në Premier League.