Wenger mesazh për Sanchez

Arsene Wenger kërkon nga lojtarët e tij të respektojnë kontratat, duke i adresuar një mesazh direkt Alexis Sanchez dhe Manchester City që është vënë prej kohësh në ndjekje të sulmuesit kilian. Trajneri i Arsenalit është i qartë në qëndrimin e tij, ai nuk ka aspak ndërmend ta lejojë sulmuesin të bashkohet me “Citizens”. Në një konferencë shtypi nga Sydney, ku Arsenali ndodhet për turneun veror, menaxheri francez i “Topçinjve” lë të hapur mundësinë e rinovimit të kontratës me Sanchez.
“Po e nisim menjëherë këtë konferencë me presion. Le të flasim hapur, është një situatë që unë vazhdoj ta përjetoj që prej fundit të sezonit. Askush nuk e di nëse ai do të jetë me ne në fund të sezonit të ardhshëm, por mund të them se ai lë të hapur për rinovimin e kontratës nëse klubi do ta shikojë të nevojshme”.
Wenger thekson më tej se nuk është aspak e vërtetë që Sanchez kërkon të largohet, madje kërkon të vendosë pikat mbi “i” përsa i përket zërave të merkatos. “Lojtarët kanë kontrata me klubet dhe duhet t’i respektojnë. Kjo është ajo që ne duam të arrijmë. Giroud? Ia zgjatëm kontratën vitin e shkuar. Ai është një lojtar me shumë vlera dhe një njeri që e do këtë klub. Ka qenë përherë i vendosur për të vazhduar karrierën te Arsenali. Me mbërritjen e Lacazzete duhet të marr disa vendime, por këto janë probleme që ekzistojnë gjithmonë dhe unë jam i lumtur që kam në skuadër dy sulmues të këtij niveli. Kjo është pjesë e punës që ne bëjmë dhe lojtarët duhet të pranojnë vendimet që unë marr”.
Oliver Giroud sipas të gjitha gjasave do të qëndrojë tek Arsenali edhe për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi francez ka udhëtuar me skuadrën drejt Australisë bashkë me blerjen e re Alexandre Laccazzette, që u kushtoi arkave të londinezëve 53 milionë euro. Pavarësisht rritjes së konkurrencës në sulm, Wenger duket se nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e Giroud.
Thomas Vermaelen pritet të rikthehet në Premier League për të vijuar karrierën. Mbrojtësi belg, i cili luajti për një sezon i huazuar te Roma, pëlqehet shumë nga trajneri i Cristal Palace Frank De Boer. 31-vjeçari pavarësisht moshës ka luajtur shumë pak që nga 2014-ta kur la Arsenalin për Barcelonën. Gjithsesi trajneri i ri i Cristal Palace beson shumë tek eksperienca e mbrojtësit belg.

Artikulli paraprakPlanet e merkatos
Artikulli tjetërCikalleshi largohet nga Akhisar