Ish-trajneri i Chelsea, Carlo Ancelotti, ka thënë për miqtë se dëshiron të drejtojë një ekip përsëri në Premier League. Dhe “Starsport” kupton se Arsenali është klubi, që ai dëshiron të fitojë. Ancelotti, 58 vjeç, është në dispozicion, pasi ka qenë jashtë veprimi që prej largimit nga Bayern Munich, në shtator. “Topçinjtë”, gjithashtu, besohet të kenë pyetur në lidhje me disponueshmërinë e ish-trajnerit të Barcelonës, Luis Enrique. Por, ky i fundit ka refuzuar, me Chelsea në “pole position” për ta emëruar atë si pasuesin e Antonio Conte, në verë. Presioni po rritet mbi Wenger, sidomos pas humbjes 3-0 të së dielës ndaj Manchester City, në finalen e “Carabao Cup”. Megjithëse pronari Stan Kroenke dhe bordi i tij duket se nuk kanë plane të menjëhershme për të shkarkuar francezin, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga tifozët për ta larguar 66-vjeçarin, tri ndeshjet e ardhshme duken vendimtare për shpresat e Wenger, për të parë kontratën e tij që shkon deri në fund të sezonit të ardhshëm. Të enjten, Arsenali do të përballet përsëri me kampionët e zgjedhur të qytetit, në shtëpi. Pastaj, “Topçinjtë” udhëtojnë në fushën e Brighton të dielën, kundërshtar i cili është i pamposhtur në gjashtë ndeshje. Katër ditë më vonë, londinezët vihen përballë Milanit në Ligën e Europës, kompeticion që duhet t’u japë shpresën e vetme për kualifikimet e argjendta dhe Ligën e Kampionëve. Mbrëmë, Lois Langton, kryetar i Shoqatës së Përkrahësve të Pavarur të Arsenalit, e mirëpriti mundësinë e ardhjes së Ancelottit: “Unë mendoj se shumë përkrahës do të thoshin, nëse u kërkohet, se Ancelotti është kandidati i favorshëm në rast se trajneri i tanishëm largohet. Ai ka statusin, ekspertizën dhe përvojën e Premier League. Ancelotti do të sillte me vete alkiminë mbrojtëse dhe taktike, që do të adresonte disa nga problemet tona të identifikuara gjatë. Ajo që dëshmuam në ‘Wembley’ ishte kulmi i viteve të arrogancës dhe kryeneçësisë. Situata është e dhembshme në klubin tonë të mrekullueshëm. Për hir të klubit tonë të futbollit, bordi duhet ta kuptojë problemin. Askush nuk e mohon atë që Wenger ka arritur me klubin, por kjo nuk mund të përdoret si një justifikim vetjak për të parandaluar ndryshimin”.
Ndërkohë, Jose Mourinho është i vendosur të mundë Pep Guardiola me nënshkrimin e yllit të Real Madridit, Isco, sipas “Don Balon”. Të dyja klubet e Manchesterit po monitorojnë lojtarin, e ardhmja e të cilit me klubin e kryeqytetit spanjoll është në dyshim, pasi Zinedine Zidane e ka rrotulluar brenda dhe jashtë formacionit titullar këtë sezon. Statusi i Isco do të varet nëse Zidane mbetet trajner në “Santiago Bernabeu” apo jo. Largimi i trajnerit francez mund të rezultojë që lojtari të mbetet me Realin.
Isco ka një klauzolë të madhe prej 700 milionë eurosh në kontratën aktuale me “Los Blancos”, por presidenti Florentino Perez ka thënë se dihet, lojtari mund të kërkojë një largim nga “Bernabeu”. Dhe Manchester City është i gatshëm të ofrojë një ofertë masive prej 200 milionë eurosh për shërbimet e tij këtë verë. Por, Mourinho është kaq i prirur për ta marrë Iscon në “Old Trafford”, sa ka urdhëruar drejtuesit e Manchester United që të paguajnë dyfishin e rivalëve të qytetit për yllin e Real Madridit.