Wess Mitchell: Askush nuk mund të vërë veto për ushtrinë e Kosovës

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Wess Mitchell, tha të mërkurën në Beograd se askush nuk mund të vërë veto ndaj themelimit të ushtrisë së Kosovës, ndërsa u bëri thirrje të dyja palëve që të punojnë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet tyre.
“Tash është koha për të punuar së bashku për zgjidhjen e problemeve”, tha ai pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai tha se Shtetet e Bashkuara besojnë që pikëpamja për një Serbi të lirë e të përparuar në paqe me fqinjët dhe e integruar në Perëndim, është qëllim i përbashkët. Ai tha se, Shtetet e Bashkuara mbështesin bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndërsa theksoi se Kosova ka të drejtë të themelojë forcën e saj ushtarake që nuk do të ishte kurrfarë kërcënimi për Serbinë dhe serbët. “Kosova ka të drejtë të formojë forcat e saj profesionale, që do të merreshin me sigurinë dhe në të cilat do të përfshiheshin edhe serbët e Kosovës dhe në vazhdojmë të themi se askush nuk mund të vërë veto dhe të pengojë Kosovën që të zhvillojë strukturat e tilla”, tha ai. Kosova synon shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kërkojnë që kjo të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, gjë që është pamundësuar për shkak të kundërshtimit të Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ritheksoi mospajtimin me ngritjen e ushtrisë, ndërsa tha se, Serbia është e gatshme për kompromis, por jo edhe si u shpreh, “përuljen e popullit serb”.
Ai tha se, Serbia ka përmbushur marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe akuzoi Kosovën që nuk ka themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe. Diplomati amerikan, Wess Mitchell, po qëndron në Beograd në kuadër të një vizite në rajon. Ai nxiti reagime të pushtetit në Serbi edhe me takimin me partitë opozitare serbe. Ai tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor, një rajon që po përballet edhe me shtimin e përpjekjeve për ndërhyrje nga Rusia, që nuk i sheh me sy të mirë proceset e integrimit të rajonit në strukturat euro-atlantike. Zoti Mitchell, qëndroi në Kosovë dhe në Maqedoni para se të shkonte në Beograd. Më pas, ai shkon edhe në Athinë dhe në Nikozi.

Exit mobile version