Wolsburg blindon talentin Elvis Rexhbecaj. Mesfushori 19-vjeçar me origjinë shqiptare ka firmosur kontratën e tij të parë si profesionist, me skuadrën gjermane. Kjo marrëveshje do ta mbaj Rexhbecaj të lidhur me “Ujqërit” deri më 2020. Talenti 19-vjeçar fillimisht është aktivizuar tek ekipi i moshave të Wolsburg, më pas verën e kaluar ai arriti të bënte hapin e madh duke u integruar dhe tek skuadra U-23. Në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, ai arriti të fitonte dhe një vend si titullar, falë paraqitjeve të mira të treguara në fushën e blertë. Në 20 paraqitje në ligën regjionale të veriut, ka arritur të realizojë 2 gola, kaq u ka mjaftuan drejtuesve të klubit gjerman për t’i ofruar Rexhbecaj një kontratë profesionisti.
Gjatë fazës përgatitore që ka zhvilluar Wolsburg, Rexhbecaj është thirrur për të qenë edhe ai pjesë e këtyre takimeve, me 19-vjeçarin që nuk ka zhgënjyer. Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të klubit gjerman. Ndërkohë në një intervistë të dhënë në faqen e “Ujqërve”, mesfushori është shprehur i lumtur për kontratën që ka firmosur dhe se e vetmja gjë që kërkon të bëjë tani është t’i shpërblejë besimin e dhënë drejtuesve të Wolsburg. Rexhbecaj do të vazhdojë të stërvitet dhe të luaj te U-23, e më pas gradualisht ai do të integrohet dhe te ekipi i parë në Bundesligë.