“World Vision” iu bashkua nismës së Bashkisë Kamëz, mbjell 70 pemëve selvi në Bathore

630 pemë janë mbjellë që nga fillimi i nismës së Bashkisë “Jepi jetë Kamzës – Dhuro një pemë”
630 pemë janë mbjellë që nga fillimi i nismës së Bashkisë “Jepi jetë Kamzës – Dhuro një pemë”, më datë 23 shkurt, falë kontributit të bizneseve, OJF-ve të ndryshme, qytetarëve dhe partnerëve të tjerë të Bashkisë Kamëz, që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për një mjedis më të mirë të qytetit.
Vetëm te mërkurën janë mbjellë 70 pemë të llojit selvi ne Bathore, gjë që u bë e mundur nga organizata ndërkombëtare “World Vision”. Bashkë me kryebashkiakun e Kamzës, z. Xhelal Mziu, ishte edhe përfaqësuesja e “World Vision”, znj. Blerina Lako. Ata mbollën pemë përgjatë rrugës “7 Marsi”, në kuadër edhe të Ditës së Mësuesit. Organizata “World Vision” ka vite që kontribuon për fëmijët në nevojë në Bathore si dhe me projekte të ndryshme në shkollat e qytetit.
“Jepi jetë Kamzës – Dhuro një pemë” është një prej nismave më të rëndësishme të Bashkisë Kamëz për shtimin e gjelbërimit dhe mirëmbajtjen e mjedisit. Ky projekt në tërësinë e tij do të mundësojë mbjelljen e rreth 10 mijë pemëve dekorative në gjithë territorin e qytetit. Nisma për mbjelljen e pemëve dekorative në Kamëz fillon që nga viti 2007, vit në të cilin, për fatin e keq, nuk kishte asnjë pemë dekorative të mbjellë brenda këtij territori. Nga viti 2007 e deri në fund të vitit 2017 janë regjistruar mbi 26 mijë pemë të mbjella në Kamëz, falë bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha institucionet që janë bërë partnere me nismën që Bashkia Kamzës ka pasur nga viti në vit për këtë qëllim. Gjatë viteve të fundit janë ndërtuar objekte publike e private, infrastrukturë e gjerë rrugore, por që është i nevojshëm edhe kontributi i të gjithë faktorëve për qytetin, për brezat dhe për vetë natyrën, për mbjelljen e pemëve dekorative në rrugë, në hapësira publike, parqe si dhe në anësoret e lumenjve që kalojnë në qytetin tonë.

Exit mobile version