Një aksident me pasojë vdekjen e një burri ka ndodhur në Krujë. Burime nga policia thanë se në orët e para të mëngjesit të djeshëm rreth orës 02:00, në aksin rrugor Fushë Krujë-Krujë, Lulëzim Kane 42 vjeç, duke drejtuar automjetin tip BMW X5 me targa AA 090 GU, ka aksidentuar me pasojë vdekje këmbësorin me inicialet Q. P., 54 vjeç, banues në Dibër.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivat e Policisë, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të saj.
Ndërkohë një tjetër aksident ka ndodhur pasditen e djeshme në aksin Fushë-Krujë-Tiranë, ku janë përplasur dy automjete. Si pasojë dhjetëra automjete kanë qëndruar për disa minuta të bllokuar, duke e patur të pamundur të lëvizin. Shkak për këtë situatë është bërë një aksident automobilistik i ndodhur rreth orës 17:45 në këtë aks rrugor.
Dy mjete janë përplasur me njëri-tjetrin, dhe si pasojë ka mbetur i lënduar një person, i cili është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Mësohet se i aksidentuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia e mbërritur në vendngjarje po heton shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Ndërkohë bëhet e ditur se, po punohet edhe për zhbllokimin e trafikut dhe kthimin në normalitet të lëvizjes së mjeteve në aksin Fushë-Krujë-Tiranë.