Ish-Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka organizoi më 6 korrik të 2018 një shfaqje publike të asaj që e konsideroi rritje 12-fish të kapaciteteve për shuarjen e zjarreve nga ajri.
Ajo bëri me dije se helikopterët Cougar të Forcave Ajrore ishin pajisur me kova të reja, me një kapacitet prej 2500 litra uji për shuarjen e zjarreve në terrene të vështira.
“Prej ditës së sotme, infrastruktura e Forcave të Armatosura është përmirësuar, pas pajisjes së helikopterëve me kovat e posaçme, të cilat kanë një kapacitet prej 2500 litra uji. Ky kapacitet, në fakt, është 12 herë më i madh sesa përpjekjet e shkuara”, u shpreh Xhaçka gjatë fjaimit të rastit.
Aktiviteti pati për qëllim edhe promovimin e ligjit të ri të emergjencave civile, që i dha një rolë më të madh Forcave të Armatosura, të cilin ish-ministrja e quajti “një reformë të mirëfilltë ligjore, administrative, operacionale dhe strukturore”.
Ndërkohë, dy ditë më parë, zv.Ministrja e Mbrotjes, Dallandyshe Bici duke iu përgjigjur kërkesës së prefektit të Vlorës për ndërhyrje nga ajri në Karaburun, u shpreh se helikopteri ishte në remont.
Ajo këmbënguli se ai nuk ishte i nevojshëm, një vlerësim që rezultoi i gabuar pasi zjarri në Karaburun u përhap shpejt dhe presioni detyroi qeverinë ta përdorte të hënën helikopterin, duke e reklamuar me bujë.
Në publik, ndërkohë, u ngritën pikëpyetje nëse vendi kishte vetëm një helikopter në dispozicion.
Ky dyshim u fashit të martën nga një deklaratë për Report TV e ministrit aktual të Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili tha se helikopterët e tjerë nuk ishin të përshtatshëm për shurjen e zjarreve.
“Kemi helikopterë të tjerë, po nuk janë të përshtatshëm për këtë punë. Do të doja më shumë se ju që të kishim 100-200 helikopterë”, u shpreh Peleshi mes të tjerash.
Për të ditur mbi kapacitetet e vendit për shuarjen e zjarreve, do të duhet të presim raportin e KLSH-së, e cila ka nisur një auditim të institucioneve përgjegjëse, ku do të verifikojë nëse tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile, përputhen fizikisht me ato që janë blerë, si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve./EXIT