Pa u mbushur një javë nga emërimi i Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme, Guardia di Finanza sekuestroi më shumë se 4 ton drogë në brigjet italiane. Ky fakt tregon se, Xhafa po vijon me të njëjtin intensitet në trafikun e drogës drejt Italisë ashtu si Tahiri.
Megjithëse, Fatmir Xhafa njihej gjerësisht në opinionin publik shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar për lidhjet e tij me trafikun e drogës, Rama e emëroi në krye të Ministrisë së Brendshme për të vijuar në “Drejtimin e duhur” ashtu si paraardhësi i tij. Agron Xhafa, vëllai i ministrit aktual të Brendshëm, është përgjuar nga policia italiane për trafikun e drogës që ai bënte në zona të ndryshme të Italisë.
Në kohën që Fatmir Xhafa ishte kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, policia italiane solli në Shqipëri dhe i vuri në dispozicion policisë shqiptare të gjithë dokumentacionin ku Agron Xhafa rezultonte si trafikant drogr, por policia shqiptare nuk veproi.
Ministri Xhafa ishte i implikuar edhe në 8 tonelatat e drogës që kaluan lirisht me kamion nga dogana e Qafë Thanës dhe u bllokuan në Ankona. Njëri nga 4 doganierët e arrestuar në doganën e Qafë-Thanës nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për lejimin e kalimit të kamionit me 8 ton drogë drejt Italisë ishte nipi të bashkëshortes së ministrit Xhafa.
Tashmë që Xhafa është në krye të Ministrisë së Brendshme, vëllai i tij dhe të gjithë trafikantët e tjerë që kanë lidhje me pushtetin e kanë më të lehtë për ta dërguar drogën në Itali dhe në vendet e tjera të BE. Në të gjitha pikat kyçe ku kalohet droga janë emëruar njerëz të afërt të qeveritarëve dhe ata janë të pazëvendësueshëm.
Drejtor i Policisë së Qarkut të Durrësit është Perlat Çullhaj, i cili është akuzuar nga opozita për lejimin e trafikut të drogës, por ai qëndron në këtë detyrë për më shumë se tre vjet. Prokuroria e Durrësit është shprehur e shqetësuar prej kohësh për rritjen e trafikut të drogës nga Porti i Durrësit drejt Italisë. Sipas organit të akuzës, Porti i Durrësit dhe Gjiri i Durrësit mbeten problematik për trafikimin edhe për autoritetet italiane të hetimit të krimit. E megjithatë, në krye të policisë qëndron një kryetrafikant që ndan paratë me shefat e tij në qeveri.
Xhafa u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme për të vijuar me intensitet rrugën e Tahirit për trafikun e drogës, për t’i përdorur paratë e pista në blerjen e votave.