Xhahid Bushati: Dom Ndre Zadeja dhe melodrama “Rozafa”, 87 vjet më parë…
Autorët shkodranë, në krijimtarinë e tyre, në kohë dhe në hapësirë (edhe pse Koha e Legjendës është shekuj larg…) i janë kthyer historisë së Rozafës, ku legjenda kthehet në kala dhe kalaja kthehet në legjendë; për ta përjetësuar: kush në poezi, kush në tregim, kush në poemë, kush në dramë, kush në roman, kush në letërsi për fëmijë… etj. Ndërsa Dom Ndre Zadeja, me artin e tij të magjishëm, e ka përjetësuar këtë figurë sa legjendare aq dhe mitike në melodramën e tij me tre akte, të titulluar “Rozafa”.
Nga revistat e kohës, të cilat në faqet e tyre bënë shkrime për këtë Melodramë, mësojmë se, “Rozafa” u shfaq në Shkodër, më 26 prill 1936 nga “Schola Cantorum” të Kathedrales, në nder të dy Shkëlqesive: Imzot Thaçi (Argjipeshkev Metropolit i Shkodrës) e Imzot Prennushi (Ipeshkev i Sapës). Shfaqja u përsërit edhe me 3 e 10 maj. Pati sukses në popull e tek kritika letrare, ndërsa “… shtypi i ynë heshti fare”. Theksojmë se “Cirka” (në numrin e saj të parë) dhe “Gazeta Shqipëtare” e Barit i bënë jehonë kësaj Melodrame. Kurse “Kumbona e së Dielles”, në parathënien e veprës, mes të tjerave thotë: “Na e kemi qitë ceken me i botue të gjitha punimet poetike të Zadêjës. Vepra e tij pergjithsisht nuk asht e njoftun. Ky botim e të tjerat qi kanë me ndjekë, padyshim kanë me interesue boten letrare tonë, qi ka me pá se Zadêja xên nji vend të veçantë, e jo nder të mbrâmët, në letersin shqiptare.”
Po i rikujtojmë dhe po i përmendim me respekt emrat e interpretuesve të shfaqjes së parë: – Rozafa – Loro Bytyçi; Afrodizi, i shoqi – Nikollë Çuni; – Miri, Frisku, vëllezërit e Afrodizit – Tefë Gjonej, Gjon Kujxhija; – Petriti, kryefetar ilir – Joz Jakova; – Orfeu, këngëtar ilir – Pjetër Gjoka; – Kunata I – Ndoc Jakova; Kunata II – Kolë Naraçi; – Shtriga – Cin Lufi; – Murtati, sundues i territ – Gac Luli. (Taraboshi, vulkan; Shkerbé; hije; fëmij shkodranë e paranikë ilirë.
-Nga artikulli kritik mbi melodramën “Rozafa”, publikuar në “Gazeta Shqipëtare”
Citojmë: “Kjo shfaqje melodramatike u ba nen drejtimin e D. Mikel Koliqit prej kangëtorvet të “Schola Cantorum” e Kathedrales.
Perpara se me fillue shfaqja e melodramit Kombëtar Auktori mbajti nji parathanje ku pershkoi kohët e bukra Illirjane dhe kulturen e të parvet t’onë e se si të hujt na i kan marrë né shum e shum legenda e ba per vedi. [… …] Akti parë i dam në tri pjesë, e dy aktet tjera u zhvilluen rreth legendet gershetuem me nji fantazí të mrekullueshme prej auktorit, … [… …] Akti sublim i Rozafes dhe trathtija e vllazenvet bane nji pershtypje të thellë në zembrat e spektatorvet. Sa e sa herë asht duertrokitë vepra nuk asht punë qi mbahet mend vetun duhet dijtë se në mbarim u kerkue me insistencë dalja në palk e auktorit me duertrokitje dhe brohori frenetike.”
-Nga artikulli kritik mbi melodramën “Rozafa” i titulluar: “Shfaqja e nji Melodranit Kombëtar”, publikuar nga “Cirka”
Citojmë: [… …] “Né na intereson e na gzon në mëndyrë të pá mâsë fakti se letrari i ynë D. Zadêja, mbas kaq vjet heshtimi, po nisë me mârrë persrí aktivitetin e vet aq të çmueshem, aktivitet qi, si patme nderen m’e ndí prej goje s’auktorit vetë, ká m’e vijue mbrênda nji kohe së shkurtë edhè me melodrâma tjerë me permbajtje kombëtare. [… …] Na pikon zêmra gjak kah ndîjmë se si sod rinija e jonë ushqehet e defrehet me kângë e melodina të hueja ase të vjedhuna e të kopjueme prej s’huejsh. Neper rruga, neper shpija, nder oborre, kû deri dje ushtojshin kângët e vallet t’ona kombëtare, s’ndíhet tjeter, por “canzonette” në daç italiane, në daç greke o sllave, por jo shqyptare. Na pikon zêmra gjak kah mêndojmë se deri shumica e melodíve të kângëve t’ona atdhetare, qi mâ parë se kurrgjâ tjeter kishte m’u dasht t’ishin shprehja fjesht shqyptare e ahteve të zêmrave t’ona.”
Tek melodrama “Rozafa”, këndvështrimi i autorit është i tillë: Legjenda vë përballë aktin sublim me tradhtinë, dashurinë për atdhe me atë prindërore, forcat e dritës: Rozafa, Afrodizi, Petriti, Orfeu me ato të errësirës: Kunatat, shtrigat, Murtatin, Shkerbeun e hijet e vëllezërve besëthyer. Melodramat e Zadejës merrnin jetë nga muzika e hartuar prej Dom Mikel Kolioqit. Partiturat e tri melodramave “Rozafa”, “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Ruba e Kuqe” të ruajtura me dashuri prej Koliqit, disa vite më vonë, u përpunuan me mjeshtëri nga kompozitori Tonin Harapi.
Figura e Dom Ndre Zadejës, veçanërisht krijimtaria letrare, ende, është e panjohur në plotësinë e saj, ende e pastudiuar. Për Dom Ndreun është botuar: “Dom Ndre Zadeja – Veprat -1-, përgatitur prej Lec Zadejës. (Botues: “Lisitan”, Lezhë, 1994. Një botim, me një përgatitje fotografike dhe grafike , inkurajuese).
Në jetën e aktivitetin e tij artistik, Dom Ndre Zadeja, përmes kulturës së tij, na la një krijimtari (për aq sa e njohim deri tani) që ndrit si një gur i çmuar. Pasuria e tij letraro-muzikore e publistike shtrihet në një kohësi prej 4 dekadash. Kjo periudhë përkon me një jetë kulturore, artistike e shkencore të gjallërueshme në Shkodër. Mjafton të kujtojmë që kishte mbi 10 shtypshkronja. Është për t’u theksuar, se në këtë kohë personaliteti i Fishtës ishte rrezatues. Por, një fenomen i tillë fishtjan, nuk mund të ekzistonte pa krijues të tjerë. E njëri nga ato ishte dhe Dom Ndre Zadeja. Ishte poet, dhe shkëlqeu me poezitë “Muzhika” dhe “Piktura”. Mendoj se në poezinë lirike elegjiake Zadeja arriti kulmin artistik. Ndrit poema liriko-filozofike “Kunora e bylbylave”, ku motivi romantik mbart edhe filozofi jete. Ishte prozator. Mbartin vlera shkrimet e tij publicistike-pedagogjike. Së bashku me Fishtën ka meritën se kontribuoi me sukses në gjininë e dramatikës, në llojin e melodramës. Të pjesshme apo të plota në shfaqjet skenike, me emrin e Zadejës lidhen melodramat: Ora e Shqypnisë”, “Hijet e Zeza”, “Ruba e Kuqe”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Shpella e Bogdanit” (ende e pagjetur).
Kush ishte Ndre Zadeja? Lindi në Shkodër, më 03.11.1891. Më 25.03.1945, vet i 14-ti ekzekutohet nga komunistët me pa të drejtë, diku mbas varreve të Rrmajit. Ekzekutohet “Poeti i Amëlsisë”. Vdiq në moshën 54-vjeçare. Ishte 45-vjeç, ku u shfaq melodrama “Rozafa”; pa folur për melodramat e tjera e për dorëshkrimet e gjetura dhe, ende, të pagjetura.
Dom Ndre Zadeja la një opus shkrimor të gjerë, ku janë përballë njëra-tjetrës: e njohura dhe e panjohura. Në dy shkrimet (analizat) që u bënë për melodramën “Rozafa” gjejmë të përbashkët këto dukuri të rëndësishme, analitike, mirëdashëse e mirënjohëse: – Kohën e jetoi si meshtar e si artist. – Gjurmët vlerore duhet t’i kërkojmë e t’i zbulojmë e më pas t’i analizojmë. – Tek artisti, për kontributet e tij nuk duhet të ketë “heshtim” (fjalë që e përmend njëri nga artikullshkruesit).
Dom Ndre Zadeja duhet të njihet, sepse më shumë njihet trashëgimia e pasur shkodrane dhe panteoni i kulturës shqiptare. Ndre Zadeja ishte poeti i dritës që mund errësirën. Për këtë thënie mjafton të lexoni melodramën “Rozafa”.
Shkodër, më, 22. 12. 2023
/exlibris.al