Xhaka dhe Basel festojnë titullin

Kampionë për të tetin vit radhazi. Baselit i mjaftoi fitorja 2-1 në fushën e Lucernës për të fituar matematikisht titullin gjashtë javë përpara mbylljes së Superligës zvicerane. 20 tituj në total për Baselin, ndërsa feston edhe mesfushori kuqezi Taulant Xhaka, që ka meritën e tij në vendosjen e yllit të dytë mbi stemën e skuadrës.
Edhe pse është vetëm 26-vjeçar, Taulant Xhaka festoi titullin e pestë me Baselin. Titullar absolut dhe luftëtar në fushë, në një skuadër pa rivalë në elitën e futbollit zviceran. “Ishte e vështirë, por jam i lumtur që fituam sërish dhe këtë vit. Çdo herë është gjithmonë e bukur”, tha Xhaka.
Pas festimeve në fushë me tifozët dhe në dhomat e zhveshjes, entuziazmi u spostua në sheshin qendror të Baselit, ku skuadra u prit nga mijëra mbështetës, që krijuan një atmosferë elektrizuese.
Këngë, flakadanë dhe përshëndetje për idhujt e skuadrës, që kanë qepur edhe yllin e dytë në fanellë dhe tashmë presin vetëm dorëzimin formal të trofeut për të vijuar festën e një dominimi absolut në Superligën zvicerane.

Artikulli paraprakFerrari dominon në Sochi
Artikulli tjetërZeman: Nuk më çudit kthimi i Moxhit… në Shqipëri