Taulant Xhaka është kthyer në një prej liderëve në lojën e skuadrës së Bazelit që po shkon i qetë drejt titullit të 8 radhazi në Zvicër, ku duket se nuk ka rivalë. Për mesfushorin e përfaqësueses shqiptare, i cili parashikohet që në të ardhmen të mbajë edhe shiritin e kapitenit në klubin e tij, nuk mungojnë as vlerësimet nga mediat sportive.
E përditshmja zvicerane “Blick” e ka zgjedhur futbollistin në formacionin ideal të kësaj fundjave. “Mund t’i besosh gjithmonë mesfushorit të Bazelit. Duket sikur është ndezur që tani nga dueli i mesjavës ndaj Arsenalit të vëllait të tij, Granitit”, shkruhet në përshkrimin për futbollistin.
Por, nëse Xhaka po shkëlqen, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Jahmir Hykën. Ky i fundit ishte ndër emrat më të spikatur të fillimit të sezonit, por që pas pauzës së kombëtareve në shtator, e kishte shumë të vështirë të gjente ritmin e duhur dhe ka dhuruar disa paraqitje jo edhe aq bindëse.
Hyka ka përfunduar në formacionin e zhgënjimeve të kësaj jave, me motivimin se nuk mundi të ndihmonte Luzernën në disfatën 3-1 në shtëpi përballë Lozanës. “Thuajse asgjë nga mesfushori fluturues i krahut. Asnjë rrezik në fazën ofensive”, shkruhej në komentin për Hykën, i rreshtuar mes dështimeve të kësaj jave.