Granit Xhaka i ka pushtuar ballinat e gazetave të sportit në Britani të Madhe, pas incidentit me tifozët e Arsenalit, të cilët i shau pasi e lëshuan nervat për shkak të fishkëllimave që iu bën në barazimin e së dielës 2:2 kundër Crystal Palace në Emirates.
Mesfushori shqiptar i Zvicrës, i cili është zgjedhur kapiten i Arsenalit me gjithë kritikat e shumta së fundmi, u nxor nga loja në minutën e 61-të nga trajneri Unai Emery, për t’i lënë vend Bukayo Sakas, pak pas golit të barazimit të vizitorëve, shkruan Gazeta Express.
Xhaka u përcoll jashtë fushës me fishkëllima të shumta të tifozëve të vet. Kjo bëri që ai ta humbë pusullën dhe ta heqë shiritin e kapitenit dhunshëm, para se ta lëshonin nervat plotësisht.
Ai reagoi ndaj tifozëve duke i sharë: “Ik pi***uni” dhe duke e hedhur fanellën në tokë rrugës drejt tunelit për në zhveshtore.
Sjellja e tij, si kapiten i sapoemëruar, ka ngjallur reagime të mëdha në Angli. Shumë ish-yje të Arsenalit dhe tifozë të klubit londinez kanë mbetur të habitur me Xhakën, të cilin e kritikuan ashpër për reagimin tërbues.
Ndërkohë, gazetat e sportit e kanë Xhakën në ballinat e së hënës.
Sun Sport shkruan: “Xhaka i shan tifozët e vet”.