Arsenali fitoi 3-1 miqësoren e dytë në SHBA, pasi mundi pa shumë probleme Chivas-in. Topçinjtë e Arsen Wenger e dominuan takimin duke mos hasur shumë probleme përballë rivalëve të tyre, ndërsa Granit Xhaka ishte sërish titullar për skuadrën londineze. Pas një fillimi disi të ngadaltë, Arsenali gjeti golin e epërsisë në minutën e 34 me anë të Holding, që e pati të lehtë të shtyjë topin për në rrjetë pasi u shfaq i vetëm përballë portierit.
Në pjesën e dytë Wenger zëvendësoi pjesën më të madhe të ekipit me Akpom që i zuri vendin në fushë Xhakës. Në minutën e 50-të, Arsenali shënoi dhe golin e dytë me Chamberlain, që finalizoi në mënyrë fantastike një aksion personal. 6 minuta më pas ishte Akpom që ngriti shifrat në 3-0. Chivas arriti të shënonte golin e vetëm në minutën e 74 kur Debuchy shkaktoi faull në zonë duke i dhënë mundësinë Zaldivarit të realizonte për ekipin e tij nga pika e bardhë. Kjo ishte fitorja e dytë e Arsenalit në turneun amerikan pas suksesit 2-1 që arriti dhe në ndeshjen e parë ndaj yjeve të MLS.